PLUMBA PËR POLITIKË NË PUKË? Kryebashkiaku: Mbrëmë janë sulmuar mbështetës socialistë nga kandidati i “Bashkë Fitojmë”
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Pukë.
Në një kohë që policia nuk ka asnjë të arrestuar dyshohet se ngjarja ka sfond politik, pasi vetë kandidati i socialistëve dhe njëkohësisht kryetari në detyrë, Gjon Gjoni ka akuzuar se janë qëlluar mbështetës të socialistëve.
Ai bën përgjegjës kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rrok Dodaj.
Në një status të bërë në rrjetet sociale, Gjoni thotë se mbështetësit e PS janë kërcënuar me armë dhe në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër.
Gjoni shton se kandidati i tij po bën presion qytetarëve me anë të kërcënimeve me armë për të marrë votën.
"Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar degjoj krisma armësh, të cilët u shkrehen në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati pa parti i opozitës tentuan të prishin traditen e Pukës.
Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armen, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata leviznin është qëlluar në ajër.
Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marr bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vi në pushtet.
Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerzit me precedent që ai ka sjell me pagesë në Pukë.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardh ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje.
Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim friksimi.
A mund të ndodh kjo?! Kurr Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barren e përgjegjësisë për prishjne e kësaj tradite të bashkjetesës dhe harmonisë që karakterizon Puken.
Për të gjithë shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetra vite që nuk është shkrehur armë.
Ky është kandidati që pretendon të marr drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marr dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik", thuhet në deklaratë.
Njoftimi i Policisë Pukë për ngjarjen
Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin. Vijon puna intensive për kajen e 26-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë - Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjtetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qënë në lëvizje. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kandidati i "Bashkë Fitojmë" në Pukë Rrok Dodaj ka denoncuar publikisht dhe u ka bërë thirrje policisë së shtetit të marrin masa pas ngjarjes së mbrëmjes së djeshme kur persona të armatosur kanë shtënë me armë.
"Sa më shumë i afrohemi 14 majit, banda që ka drejtuar pushtetin vendor prej 8 vitesh, me në krye narkotrafikantin Gjon Gjonaj, përmes grupeve të armatosura, të cilat i strehon në Hotel Turizëm Puka, synon të ushtrojë presion dhe shantazh mbi banorët pukjan. Të frymëzuar nga etërit e tyre politikë, që pushteti mbahet me grykën e pushkës, natën e mbrëmshme, killera me pagesë që vërtiten të armatosur rrugëve të qytetit, duke i bërë karshillëk policisë së shtetit, kanë tentuar të intimidojmë qytetarë të lirë dhe mbështetës të opozitës.
Prej kohësh, u kemi bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të mos bien "pre" e ngordhësirës që është në grahmat e fundit, pasi kjo qënie ligë, po përdor çdo mjet për t'u grabitur qytetarëve të drejtën e lirisë së votës.
Situata është tragjikomike, kur klithmave të tij për agresion, u përgjigjet në harmoni të plotë edhe shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, i cili ngjarjen e referon në unison me deklaratën e shtabit elektoral të PS.
Dua t'i bëj thirrje strukturave të policisë së shtetit, shefit të Komisariatit Pukë, të mos shfrytëzojnë pozitën e tyre, të mos bëjnë pis ngjyrën e uniformës, duke u shndërruar në militantë politikë, por të jenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe detyrës që u ngarkon ligji," tha ai.