“Luftë” politike për Ditën e Verës në Elbasan, grushta dhe fyerje mes militantëve të PS-PD
Dita e Verës nga ditë festimesh u kthye në ditë përplasjesh fizike mes mbështetësve të PD-së dhe Partisë Socialiste. Shkak u bë axhenda në të njëjtën orë në bulevard e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilët shkëmbyen edhe akuza.
Ky është momenti i përlasjes fizike mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste, gjatë festimeve për Ditën e Verës në Elbasan.
Përleshja ishte e dhunshme ku nuk munguan as sharjet e fyrjet mes tyre.
Situata erdhi për shkak se kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kreu i qeverisë Edi Rama u gjenden në bulevardin e Elbasanit në të njëjtin orar.
I pari mbërriti Lulzim Basha, ku për ta pritur ishin mbledhur dhjetëra mbështetës.
Pak minuta në të njëjtën zonë shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, i cili u prit me thirrjet kundërshtuese nga mbështetësit e opozitës.
Ky është momenti kur situata agravoi në dhunë dhe përshkallëzimi i mëtejshëm u shmang vetëm pas ndërhyrjes së drejtuesve të policisë dhe zyrtarëve politik lokal.
Për Lulzim Bashën, situata u provokua nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij ishte i shoqëruar nga elementë kriminalë të armatosur.
Basha: Dua ti them prerë dhe qartë kryeministrit: Mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit nga bandidët që të rrethonin, me armët e paligjshme në brez. Iki rrugës së dhunës, asgjë nuk e ndal dot ndryshimin. Nuk ka shans që Edi Rama dhe bandat e tij të mbajnë peng Elbasanin.
Në reagimin e parë Edi Rama, i akuzuar si provokator, tha se nuk i jep askujt llogari për orarin që ai del për festë.
Rama: Pse duhet të shkojmë në orare të ndryshme, çfarë lidhje ka kjo? Nuk jemi armiq, nuk kemi arsye pse përtej ballafaqimeve të betejës politike, në mjedisin shoqëror sillemi si njerëz, qytetarë. Çfarë jemi ne?
Por vetëm disa minuta më vonë në rrjetet sociale, ai shpërtheu në akuza dhe sulme personale ndaj Luzim Bashës.
Rama: Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë!Keqardhje e madhe për e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë! Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s'kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit "Koncert në vitin 36"! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e bicikletave e ishte fshehur mes tyre!
Por Lulzim Basha, pasi zhvilloi disa takime në qytet, iu rikthye çështjes, duke e akuzuar sërish Ramën.
Basha: Dua ta them qartë se koha e Edi Ramës ka marrë fund dhe është për të ardhur keq që edhe javët e fundit të tij provokoi qyttein e Elbasanit duke treguar dëshpërimin që e ka kapluar me miqtë e tij kriminelë. Koha kur qyteti dhe qytetarët e Elbasanit ishin nën hyqmin e kriminelëve të Edi Ramës ka marrë fund. As nuk do të na trembë dhe as nuk do të na ndalë dot. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë ndryshimin që shqiptarët mezi e presin. Ia them qartë dhe prerë, hiq dorë nga shoqërimi me kriminelë dhe provokimi si ky që i bëre sot qytetit të Elbasanit.
Rama: Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë! Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s'je dot po bëhu pak burrë!
Këtij provokimi Basha ju përgjigj nga makina gjatë kthimit për në Tiranë.
Basha: Sot është një ditë feste është Dita e Luleve që është simboli kuptim plotë i thyerjes së dimrit me verën. E pra 14 Marsi i sotëm na ndan pak nga 25 prilli që do të jetë. Ngjarja e shëmtuar që provokoi Edi Rama, rrugët ishin edhe më plot pas këtij incidenti të shëmtuar që tregoi se qytetarët nuk e kanë frikë. Shqiptarëve u ka dalë frikë dhe janë të gjithë bashkë. Burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez pa të cilat nuk hyn dot në qytetin e Elbasanit. Nuk të bëjnë dot burrë, burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, që ti nuk e ke pasur. Burrë të bën dashuria për vendin që ty të ka munguar në çdo çast. Shqipëria e ka ndarë mendjen, nuk ka ndryshim pa largimin, tënd ndaj mos i provoko shqiptarët. Nuk na tremb dot ne. Ty dhe një grushti bandidhësh dhe oligarkëve u ka ardhur fundi. Më 25 prill largojmë Edi Ramën.
Lidhur me incidentin policia e Elbasanit ka shoqëruar 5 persona.
“Rama ik!” Basha dhe Rama në Elbasan për Ditën e Verës
