Përfundon misioni i Eulex-it në Kosovë
Bashkimi Europian në shtator të këtij viti do të ketë një mision tjetër në Kosovë. Ai nuk do të quhet më EULEX. Selinë do ta ketë në zyrën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë dhe do të jetë më i vogël se misioni aktual i BE-së për sundimin e ligjit - EULEX.
Misioni, që gjithashtu do ta ketë për qëllim sundimin e ligjit Kosovë dhe që do të ketë kompetenca ekzekutive, do të ndryshojë në dukje nga EULEX-i, por jo shumë në përmbajtje, shkruajnë mediat në Kosovë.
Sipas tyre, më mes të muajit janarit, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe ministër i Drejtësisë, do ta udhëheq delegacionin kosovar që në Bruksel do të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të shteteve anëtare.
Njëkohësisht pritet të zhvillohen edhe bisedime zyrtare mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për ristrukturimin e misionit.
Takimet do t`u paraprijnë diskutimeve që shtetet anëtare do t'i nisin prej 20 janarit për misionin e ri në Kosovë. Ky mision, emri i të cilit ende nuk është definuar, do të ketë kompetenca ekzekutive në veri të Kosovës dhe në sferat tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
