Programi i Ramës përplas PD-PS. Opozita: Na jepni kohë, në të kundërt masa drastike

Opozita e kryesuar nga PD, ndjekur nga forcat politike aleate PDIU, PR, LZHK dhe PD del në një qëndrim të unifikuar kundër hermetizimit dhe mungesës së transparencës së mazhorancës së majtë dhe Kryeministrit të saj Edi Rama lidhur me programin qeverisës. Pas një takimi për rreth 30 minuta në selinë e re të PD, Lulzim Basha, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, dhanë një konferencë të përbashkët për mediat, ku i bënë thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës së re të tërhiqen nga qëndrimi arrogant dhe konfliktual ndaj opozitës dhe të bëjnë transparencën e plotë të programit.

“Patëm një takim me aleatët e PD, me të cilët diskutuam disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit të aktivitetit tonë si opozitë parlamentare dhe më gjerë. Në krye të diskutimeve ka qenë problemi në raport me punimet e Kuvendit paraditen e sotme, konstituimi i plotë i tij dhe i qeverisë së re. Opozita del me një qëndrim të unifikuar, që ka të bëjë me një nga interesat më themelore, interesi për transparencë dhe llogaridhënie me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante e mazhorancës  është një problem i çdo qytetari shqiptar. Konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti tek Kryeministri i dekretuar, ka marrë për më shumë se një muaj kohë publike për të ndërtuar çdo lloj emërtimesh, konferenca , dreka dhe darka pa bërë transparencë për publikun. Kjo përkthehet në një programim të shkatërrimit të transparencës, përmes mungesës së programit të qeverisë. Çdo qytetar është kurioz të dijë se çfarë qëndrimesh do mbajë kabineti në raport me premtimet e bëra, si do bëhen legalizimet falas, shëndetësia, falas, heqja e TVSH, heqja e taksave për 95% të shqiptarëve?” tha kreu i PD, Lulzim Basha.

Indirekt kreu i PD ka risjellë edhe njëherë në vëmendje fjalimin e kryeparlamentarit të ri Ilir Meta, ku sipas tij të gjitha ato zotime për gjithpërfshirje u fshinë në takimin e kryetarëve të grupeve parlamentare. “Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer tranparencën është një shenje e keqe dhe një fillim jo i mbarë” theksoi ai.

“Që në momentin e parë po i iket në mënyrë të turpshme këtij detyrimi për tranparencë. Sot në parlament gjatë paradites u fol për këto vlera, ndërsa pasdite gjuha e vjetër konfliktuale u zgjodh për të komunikuar me opozitën, ndërsa kjo e fundit kërkoi diçka krejt normale, kohën e nevojshme për tu njohur me programin. Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer tranparencën është një shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë” tha Basha.

Duke shpresuar në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve, Basha ka kërkuar edhe një herë nga mazhoranca e re kohën e nevojshme për shqyrtimin e programit nga ana e deputetëve të opozitës. Në të kundërt, ai paralajmëroi se opozita në një qëndrim të unifikuar do të jetë e gatshme të ndërmarrë çdo veprim në mbrojtje të parimit të shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar.

“U themi të tërhiqen sa nuk  janë vonë nga këto qëndrime që nuk përfaqësojnë BE. Nëse nuk reflektojnë lidhur me qëndrimin e papranueshëm në raport me programin e tyre, opozita do të ndërmarrë çdo veprim . Përgjegjësia është e tëra e mazhorancës, bëjmë thirrje të shmanget konfliktualiteti dhe provokimet, të sigurohet koha e nevojshme e barabartë që kjo opozitë i ka dhënë në kohën kur ishte mazhorancë asaj opozite. Qëndrim i unifikuar do të thotë se jemi gati të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur parimin e shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar, për të përdorur çdo mjet të ligjshëm. Shpresoj të gjendet gjuha e nevojshme” deklaroi Basha.

Interesit të medias lidhur me rrjedhjen e 8 votave nga opozita dhe kryesisht grupi i PD në zgjedhjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, pasi aleatët Idrizi, Mediu dhe Ndoka me përjashtim të Shehit deklaruan se kanë votuar kundër, Basha nuk ka preferuar asnjë koment, pasi sipas tij në lidhje me çështjen është prononcuar vetë kreu i grupit parlamentar, Paloka.