Editorial i PolitikOn - PD e Bashës nuk mund t’i ngjajë më vetes


Ka një keqkuptim te të gjithë ata që janë gati të hidhen në zjarr për Lulzim Bashën. Ata që duan ta bëjnë shefin e PD të duket si Alexey Navalny, kreu i opozitës ruse dhe kundërshtari i Putinit.

Basha nuk është Navalny, siç as Shqipëria nuk është Rusia.

Në asnjë moment, amerikanët dhe evropianët nuk e kanë në Moskë atë ndikim dhe venerim që gëzojnë në Tiranë.

Prandaj, gjuha si e Navalnit dhe portretizimi i Ramës si Putini, janë kërcitjet më të mëdha në të folurën opozitare.

Narrativa, domethënë historia që tregohet nga opozita nëpërmjet kanaleve të komunikimit zyrtar, mbështetësit apo mediat pro saj, duhet të përshtatet, jo në favor të nevojave të lidershipit, por të kontekstit shoqëror.

Çfarë janë zgjedhjet, përveçse përpjekja për të përputhur kontekstin apo metrin e një pjese me të tërën.

Keqkuptimi i dytë, që duhet të shmangë Basha dhe ithtarët e tij, është se kundërshtarët, ata që mendojnë ndryshe, bëjnë pjesë në ca kulisa të kategorive amorale. Pra, ata nuk kanë të drejtë të thonë atë që shohin, edhe nëse nuk e shohin qartë atë që thonë.

Kategorizimi i tyre si "të shitur", "karrigethyer", "revizionistë" etj., mund të emocionojë ithtarët, por shoqërinë e tëhuajëson. As heshtja e Bashës nuk e blen kohën dhe as e shet idenë se nuk ka asgjë për të folur.

Slogani "do ta vazhdojmë betejën deri në fund" nuk është të komunikosh, por vetëm të thuash se nuk ke gjë për të komunikuar.

I treti i keqkuptimeve ka të bëjë me atë se, ata që flasin për Bashën dhe humbjen ia kanë me hile demokracisë, sepse duhej të flisnin për vjedhjen e zgjedhjeve nga Rama.

Hera e fundit që na është kërkuar të flasim vetëm për një gjë, ka zgjatur 45 vjet.

Ata që e mbrojnë me ngulm tezën se duhet folur vetëm për Ramën, që po na shpie në monizëm, bien vetë në monizëm kur kërkojnë që të mos flitet për Bashën dhe të metat e mundshme të tij.

Nëse PD dëshiron mbylljen e vetes brenda një zhgualli nga ku nxjerr kokën vetëm Basha, breshka e së sotmes dhe të ardhmes mund të mendojë se i ka fituar garat me Akilin.

Por, historia bën matjet e veta.

 

EMISIONET