Kit Harington: U ndjeva i humbur pas përfundimit të “Game of Thrones!"

Aktori britanik Kit Harington ka folur hapur për periudhën e vështirë që kaloi pas përfundimit të serialit të njohur “Game of Thrones”, duke zbuluar detaje mbi luftën e tij me varësinë dhe procesin e rehabilitimit.
Harington, i njohur globalisht për rolin e Jon Snow, ka pranuar se fama dhe presioni i madh publik ndikuan ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe mendore pas mbylljes së projektit që zgjati rreth një dekadë.
“Kalova një periudhë ku isha në një vend shumë të errët. Nuk doja që njerëzit të më shihnin si dikë me problem, por në fund kuptova se kisha nevojë për ndihmë,” ka treguar aktori.
Sipas tij, në vitin 2019 ai vendosi të kërkojë ndihmë profesionale dhe iu drejtua një qendre rehabilitimi në SHBA, ku qëndroi për rreth gjashtë javë i izoluar dhe pa kontakte me botën e jashtme.
Ai ka theksuar se ajo periudhë ishte vendimtare për rikuperimin e tij, duke shtuar se u përball për herë të parë seriozisht me problemet e tij dhe nisi procesin e ndryshimit.
Periudha pas përfundimit të serialit, sipas Harington, ishte veçanërisht e vështirë, pasi iu desh të përshtatej me fundin e një projekti që kishte shënuar pjesën më të madhe të karrierës së tij.
Aktori ka pranuar gjithashtu se sot ndihet me fat që ka arritur të lërë pas varësinë përpara se të krijonte familjen e tij, duke theksuar rëndësinë e rehabilitimit dhe mbështetjes profesionale.

