Ballkani po futet në spirale krizeje
Së fundmi, zyrtari i lartë gjerman në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, amendoi kushtetutën e vendit duke pamundësuar futjen e boshnjakëve në qeverinë e re, në federatën kroato-boshnjake.
Prej tetorit të shkruar, kur, brenda natës, ndryshoi ligjin zgjedhor, u pa se parti nacionaliste u bënë pjesë e panoramës politike.
Për të rregulluar këtë veprim të tetorit, të enjten, u amendua sërish kushtetuta, duke lejuar krijimin e qeverisë pa ministra bosnjakë, pikërisht në federatën kroato-boshnjake. Analistë bosnjakë për "Sarajevo Times" shkruajnë se kjo do të krijojë tensione në vend.
Republika Srpska e kryesuar nga Milorad Dodiku ka ashpërshuar tonet për shkëputje. Ndarja e Bosnjës do të sillte fundin e paqes së Dejtonit dhe një kapitull të ri në vendin e ndarë etnikisht.
Ligjërimi nacionalist i Dodikut është kokëçarës për Perëndimin, por ai ka lidhje të drejtëpërdrejta me Kremlinin, ndaj është e vështirë ta ndalosh.
Kosova, fqinja e Bosnjës, po paraqet shenja destabilizimi. Perëndimi po bën presion të fortë për Asosacionin, duke i shkelur syrin Serbisë për ta angazhuar atë me BE-në, edhe pse ajo e ka kthyer krejt vëmendjen nga Lindja - Moska dhe Pekini.
Zgjedhjet e fundit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës treguan se Marrëveshja e Ohrit nuk merret seriozisht nga Beogradi.
Nëse deri dje Beogradi priste fitoren e Trumpit, sot pret fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe do ta mbajë të tensionuar Ballkanin për aq kohë sa "çështja e Ballkanit" të futet në negociatat që do bëhen për fundin e luftës.
Mali i Zi, sipas analistëve të ndryshëm amerikanë, ka rënë nën 'tutelën' serbe. Serbët siguruan dalje në Adriatik, ndërsa rusët një shtet të dobët për të përçarë NATO-n nga brenda.
Po sjell në vëmendje një deklaratë të ish-presidentit Donald Trump, në 2018-ën.
Disa ditë pas një samiti me homologun e tij rus Vladimir Putin, Trumpi, në një intervistë për "Fox News", vuri në pikëpyetje parimin themelues të NATO-s.
Ai u pyet për nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s, e cila thotë se një sulm ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve.
“Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë… janë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe ja, ndodhemi në luftën e Tretë Botërore”, tha ish-presidenti amerikan.
Shqipëria paraqitet i vetmi vend stabël në Ballkan, por me probleme të rënda me demokracinë. Të gjithë e dimë dhe e jetojmë përditë realitetin politik, ndaj nuk po i hyj analizës.
Ne dimë nga historia politike se nëpërkëmbja e demokracisë për hir të stabilitetit ka treguar se pas pak vitesh mbetemi pa të dyja - pa demokraci dhe pa stabilitet.