Opera dhe Baleti, dhjetra shfaqje të programuara deri në dhjetor

Opera dhe Baleti, dhjetra shfaqje të programuara deri në dhjetor

Tiranë - Teatri i Operas dhe Baletit ka njoftuar se periudha artistike shtator –dhjetor 2014 do të jetë e mbarsur me shumë aktivitete.

Kalendari artistik për këtë sezon përfshin disa opera dhe balete të njohura si “La traviata” nga Verdi, një produksion tërësisht i ri, “La Boheme” dhe “Toska” nga Puccini, “Così fan tutte” nga Mozart, baleti “Coppelia” etj.

Gjithashtu do të ketë shumë premiera baletesh si "Midis Vienës dhe Salzburgut" me pjesmarrjen e balerinit shqiptar Eno Peçi, baleti "Table", baleti "Impact" i koreografit Daniel Cardioso dhe “Risveglio dell'umanità" me pjesemarrjen e koreografeve Stefanescu/Cosi dhe të balerinit shqiptar Dorian Grori.

Po ashtu, do të ketë koncerte simfonike dhe mbremje gala me të ftuar te vecantë

Nuk do të mungojë as Ansambli popullor, me koncerte jo vetëm në skenën e TKOB por edhe në shesh dhe nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Një vëmendje e veçantë këtë sezon do t’i kushtohet projektit “Edukimi përmes artit”, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe ka si synim afrimin e brezit të ri me artin klasik shqiptar dhe atë botëror si dhe me folklorin tonë.

Në kuadër të këtij projekti do të vendosen në skenë disa shfaqje si baletet “Balloja e diplomës” dhe “Hirushja”, që do të jenë falas për publikun e ri.

Gjithashtu do të vazhdojë projekti “Koreolabos”, që do të hapet në datat 7 dhe 9 shtator, për të afruar koreografët e rinj dhe për t’iu dhënë atyre mundësinë për të sjellë krijimet e tyre koreografike në skenën e TKOB. Hyrja do të jete e lirë për të gjithë.

Në Kosovë

Në Kosovë, trupa jone e baletit do të interpretojë sërish baletin “Balloja e Diplomës” dhe në Tetovë do të ndalet në datën 19 shtator 2014.

Krahas këtyre aktiviteteve, do të vijojnë koncertet në holl, ku artistët e TKOB do të sjellin falas për publikun disa nga pjesët më të bukura të kompozitorëve të njohur.

ar.sh/Oranews.tv

EMISIONET