Oklahoma, 91 të vdekur nga tornado

Oklahoma, 91 të vdekur nga tornado

Të paktën 91 persona kanë gjetur dje vdekjen, kur një tornado e fuqishme ka goditur një zonë në periferi të Oklahoma City-t, duke shkëputur çatitë e ndërtesave, rrafshuar shtëpitë, si dhe duke i hapur një rrugë të gjerë shkatërrimit, shkalla e të cilit sapo ka nisur të qartësohet.

Zyrtarët në Oklahoma thanë se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e goditura më rëndë.

Në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë të cilët ndodheshin brenda në shkolle, ndërsa disa fëmijë të tjerë janë mundur të nxirren të gjallë nga rrënojat e shkollës.

Pjesë të mëdha të komunitetit Moore, në periferi të qytetit Oklahoma, u shkatërruan ndërsa tornado rrafshoi lagje të tëra. Të paktën 120 njerëz janë plagosur.

Guvernatorja e Oklahomës, Mary Fallin tha në një konferencë shtypi se "zemrat janë thyer'' për prindërit të cilët pyesin në lidhje me fatin e fëmijëve të tyre. Ajo premtoi se nuk do të kursejë asnjë burim për të ndihmuar komunitetin të rimëkëmbet nga katastrofa.

Guvernatorja Fallin ka dislokuar 80 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar me operacionet kërkim-shpëtimit.

Guvernatorja foli gjithashtu me presidentin Barak Obama, i cili i kërkoi agjencisë Federale për Menaxhim Emergjent, FEMA, të ofrojë çdo ndihmë që ajo ka nevojë.

Një mot me stuhi të forta pritej në të gjithë pjesët e tjera të rajonit të mesëm perëndomor. Si pasojë e një stuhie të djelën vdiqën 2 persona në Oklahoma.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar për stuhi të fuqishme në pesë shtete Oklahoma, Kansas, Missouri, Arkansas dhe Texas  dhe thotë se stuhitë pritet të prekin këto shtete brenda orëve të ardhshme.

EMISIONET