Shkarkohet Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Çuçi: Nuk përmbushi objektivat. Yuri Kim: Partner i fortë i SHBA
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano është shkarkuar sot nga detyra ku u emërua 10 muaj më parë pas dorëheqjes së Ardi Veliut. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se vendimi u mor për shkak të mos përmbushjes së objektivave ndërkohë nga Partia e Lirisë Nano u quajt "kokë turku".
Ora News mësoi se Gledis Nano nuk ka pranuar të japë dorëheqjen. Ambasada e SHBA-së përmes një postimi në twitter tha se Nano ishte "parnter i fortë i SHBA-së. Përkohësisht do të zëvendësohet nga Tonin Vocaj.
LAJMI NE PERDITESIM
Ora 20:15 Sali Berisha: Drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Gledis Nano e hëngri mafia Rama-Çuçi
Ora 14:24 "Shkarkimi blic mesazh për rebelët" Gazetari Elton Qyno tregon pse qeveria nuk e donte Gledis Nanon
Ora 12:27 Gledis Nano u shkarkua, ambasada e SHBA-se shpreh vlerësimin e vet: Ishte partner jonë i fortë
Përmes një postimi në twitter ambasadorja e SHBA-së e quajti partner të fortë Gledis Nanon në të dy pozicionet që ai ka mbajtur “si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”
Ora 12:17 Meta reagon për shkarkimin e Gledis Nanos: U bë kokë turku
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një deklaratë për mediat komentoi shkarkimin e drejtorit Të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano. Ai tha se Nano u bë kokë Turku.
Ilir Meta: Në një kohë kur priteshin përgjegjësitë më të larta për rendin publik, është e qartë që u bë edhe një kokë turku e radhës i cili vetëm 10 muaj më parë u promovua me entuziazëm si prurje e re shpresdhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të policisë së shtetit. Edhe ministrat janë bërë kokë turku. Ndërkohë situata e rendit ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë ekstreme.
Ora 10:42 Shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Nano nuk pranoi të japë dorëheqje
Ora News mëson se Nano nuk ka pranuar të japë dorëheqje ndaj është dashur dhe mbledhja e qeverisë për të vëndosur shkarkimin e tij, raporton gazetari i Ora News Edison Vatnikaj.
Ora 10:20 Shkarkoi Gledis Nanon, Ministri Çuçi pas mbledhjes së qeverisë: Nuk përmbushi objektivat
Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi gjatë komunikimit për mediat pas mbledhjes së qeverisë njoftoi për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.
Çuçi u shpreh se shkarkimi i tij lidhet me mospërmbushje të objektivave dhe me situatën e krijuar muajt e fundit që kërkon menaxhim më të fort dhe efikas të policisë së shtetit.
Bledi Çuçi: Qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë që lidhet me mospërmbushje të objektivave dhe me situatën e krijuar muajt e fundit që kërkon menaxhim më të fort dhe efikas të policisë së shtetit
. Për momentin detyrat do ti ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i policisë. Shumë shpejt do tju njoftojmë për Drejtorine përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në vend të Nanos është caktuar përkohësisht Tonin Vocaj, ndërsa mësohet se Muhamet Rrumbullaku do të jetë drejtori i ri i Policisë.
Ora 10:02 Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano. E zëvendëson përkohësisht Tonin Vocaj
Është shkarkuar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano.
Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së qeverisë është shprehur se Nano nuk i ka përmbushur si duhet objektivat.
Në vend të Nanos është caktuar përkohësisht Tonin Vocaj, ndërsa përflitet se Muhamet Rrumbullaku do të jetë drejtori i ri i Policisë, por pritet vendimi zyrtar për emrin që do të marrë këtë post.
Çuçi u shpreh se shkarkimi i tij lidhet me situatën e krijuar muajt e fundit që kërkon menaxhim më të fortë dhe efikas të policisë së shtetit.
10 muaj ne detyre
Nano zëvendësoi në këtë post Ardi Veliun, një figurë shumë të kontestuar nga publiku dhe opozita, ndërsa pritej që Nano të kthente një frymë të re në polici.
Gledis Nano e mori këtë post në 6 tetor 2021 pas dorëheqjes së Veliut, por e "gëzoi" këtë detyrë për vetëm 10 muaj.
Më 7 tetor 2021 kur Gledis Nano mori detyrën si Drejtori i ri i Policisë së Shtetit u shpreh se "Qytetarët presin standarde të tjera"



