"Shkarkimi blic mesazh për rebelët" Gazetari Elton Qyno tregon pse qeveria nuk e donte Gledis Nanon
“Ishte qeveria që nuk e dëshironte më Gledis Nanon. Nuk e dëshironte se Gledis Nano donte të mbronte uniformën dhe nuk donte që të implikonte policinë në pranverën e zgjedhjeve 2023.” kështu analizon gazetari i ORA News Elton Qyno shkarkimin nga detyra të Nanos, sot (31 gusht 2022) 10 muaj pas marrjes së detyrës.
Shtatori pritet të jetë një muaj tepër i nxehtë politik ndërkohë që në 2023 do të mbahen zgjedhjet vendore.
“Sot për qeverinë ka nisur fushata. Ka nisur skema dhe realizimi i organikës së vjedhjes së votave. Duhet një individ që të mbrohet vjedhja e votës, në terren, me letra me mos fillimin e nisjes së procedimit penal dhe Gledis Nano nuk mund ta garantonte këtë” argumenton më tej në studion e Ora News gazetari Qyno.
Gledis Nano nuk erdhi nga politika, por me propozim të ambasadës së SHBA-së në Tiranë thotë Qyno dhe tregon detaje të takimit që është bërë më 25 gusht ku dhe ministri Çuçi i ka kërkuar dorëheqjen.
“Për ta hequr qafe është vendosur të shkarkohet për të mos qenë pjesë e drejtimit. Ministri Çuçi me të ardhur nga pushimet më 25 gusht ka thirrur Gledis Nanon dhe ka kërkuar dorëheqjen. Në momentin kur Nano ka këmbëngulur se nuk ishin arsyet për të dhënë dorëheqjen është hedhur në zbatim plani B, duke bërë propozimin për shkarkimin nga detyra në qeveri. Si mund të arrish objketivat brenda 10 muajsh kur policia nuk ka qenë kjo që ke marrë sot por ka qenë kjo që në 2013 dhe më keq ka vazhduar”
Gjithashtu me shkarkim e Nanos, gazetari i Ora News thotë se është dashur të përcillej një mesazh i fortë.
Zëvendësimi me Tonin Vocaj ishte blic sepse duhej të shkarkohej menëjherë jo vetëm për shkak të rebelimit por dhe të pëcillet mesazh që kushdo që të dalë kundër duhet të fshihte një herë e mirë nga administrata” tha Qyno në intervistën në studio me gazetaren Siklajda Shorja.

