Këlliçi: Me luftën në Ukrainë ‘Ballkani i Hapur’ është kartë e djegur. Ja sa do i kushtojë Shqipërisë
Politologu Klejdi Këlliçi, teksa ka folur për nismën “Ballkani i Hapur” është shprehur se lufta në Ukrainë ka zhbalancuar totalisht pozitën e Serbisë në rajon.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Sebastian Zonja, tha se sot Serbia nuk mund të luaj me dy porta ndërsa theksoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkon të jetë një partner i dëshirueshëm për Perëndimin.
Klejdi Këlliçi: Lufta në Ukrainë ka zhbalancuar totalisht pozitën e Serbisë në rajon. Sot është e vështirë që një shtet si Serbia të luajë me dy porta. Serbia ka ndjekur politikën në një lloj logjike që është ndjekur vazhdimisht, logjikë të mos-pozicionimit dhe të qenit një lloj partner ii dëshirueshëm për dy palët në konflikt. Kam përshtypjen se Vuçiç kërkon të jetë një partner i dëshirueshëm për Perëndimin. Nuk kanë qenë asnjëherë në historinë e tyre politike, të gatshëm të angazhohen plotësisht me një partneritet të priviligjuar, me një bllok të caktuar, gjithmonë kanë ruajtur një pozicion të tretë.
Ai tha se “Ballkani i Hapur” është një kartë e djegur për shkak të konfliktit në Ukrainë.
“Nëpërmjet dështimit të “Ballkanit të Hapur” kam përshtypjen se ndoshta kjo lloj iniciative me konfliktin në Ukrainë është një kartë e djegur. Do gjendet një formë sa më e përshtatshme që mund të likuidohet.”- tha ai.
I pyetur se si do ndikojë kjo tek vendi ynë, Këlliçi tha: Nuk e di nëse kjo do i kushtojë Shqipërisë, për faktin sepse gjithmonë, Rama ka qenë i kujdesshëm që të mbështesë iniciativat të cilat duket se kanë një mbështetje që shkon përtej raportit bilateral që ka Serbia me Shqipërinë. Kjo është perceptuar si një marrëveshje që ka një lloj bekimi të jashtëm.
