Vrasja e babë e bir në Lezhë, autori i krimit 6 vite konflikt me familjen e ish- gruas, pretendime për borxhe të pakthyera
Babë e bir, u vranë në fshatin Grykë Zezë të Lezhë nga ish-dhëndri i familjes. Besnik Pjetri, është në arrati si autor i dyshuar i krimit të dyfishtë që si shkak dyshohet se kishte konfliktet e lindura pas divorcit të tij me vajzën e familjes Përjaku 6 vite më parë.
Babë e bir Pjerin dhe Gent Përjaku, 56 dhe 32 vjeç u vranë në derë të shtëpisë nga ish-dhëndrri i familjes, Besnik Pjetri, personi që shihni në foto.
Krimi I dyfishtë u shënua rreth orës 23:00 në fshatin Grykë Zezë të Lezhës dhe sipas policisë lokale kishte si shkak një konflikt familjar mes palëve.
Besnik Pjetri ishte divorcuar 6 vite më parë me vajzën e familjes Përjaku dhe prej asaj kohe, raportohet se përplasjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme.
Të dy palët kanë jetuar në Itali, ku 45-vjeçari rezulton se ka vuajtur edhe një dënim me dy vite burg pas një denoncimi për dhunë nga ish-gruaja.
Pas ndarjes ai kishte shfaqur pretendime për borxhe të pakthyera, ndërsa së fudmi ishte ankuar se nuk e kishin lejuar të takonte dy vajzat.
Ky fakt dyshohet se u bë shkak për përshkallëzimin e konfliktit që çoi në krim.
Anëtarët e familjes Përjaku, ndërkohë ishin kthyer një ditë më parë në vendlindje për një gëzim familjar.
Ish-dhëndri nga Troshani duket se i ka ndjekur lëvizjet e tyre, dhe u bëri pritë teksa futeshin në banesë mbrëmjen e së hënës.
Në oborr i qëlloi me breshëri plumbash.
Babë e bir Pjerin dhe Gent Përjaku humbën jetën në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa të tjerë anëtarë të familjes u rrezikuan.
Fqinjët, i përshkruajnë si të qetë, ndërsa tregojnë se 32-vjeçari ishte djalë i vetëm.
"Më vjen shumë keq për ta. Shumë të mirë si familje, taksirati të gjen."
Familja Përjaku hapi dyert e mortit për të përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat, ndërsa ish-dhëndri Besnik Pjetri, mbetet i lirë në arrati.


