Para dhe pas vrasjes/ Dalin pamjet, Arsen Muskurti nxjerr pistoletën dhe futet në Agjenci...pastaj largohet i qetë në këmbë
Ora News siguron pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë filmuar Arsen (Hamza) Muskurti para dhe pas vrasjes së dyfishtë.
Siç shihet nga pamjet ai mbërrin gjakftohtë në Agjencinë e Udhëtimit dhe sapo i afrohet derës për ta hapur nxjerr nga brezi armën pistoletë dhe futet brenda.
Qëndron për disa sekonda brenda ku edhe ka qëlluar me armë vëllain Dritanin (Albanin) dhe bashkëshorten e tij Norën.
Më pas krejt i qetë del nga Agjencia dhe largohet në këmbë sikur nuk ka ndodhur gjë.
Më pas një grua nga ana tjetër e rrugës përballë i afrohet Agjencisë për të parë se çfarë ka ndodhur pasi si duket kanë dëgjuar të shtënat me armë.
Pasi i hedh një sy kalon edhe njëherë në anën tjetër të rrugës dhe ndalon para një dyqani.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:45 në rrugën “Islam Alla”, që lidh Rrugën e Kavajës me atë të "Myslim Shyrit".
Viktimat janë 44-vjeçari Dritan (Alban) Muskurti dhe Nora Muskurti 33 vjeç, bashkëshortja e Dritanit, ndërsa autori, Arsen (Hamza) Muskurti.
Dy vëllezërit kanë qenë dikur ortakë në Agjencinë Turistike ku dhe ndodhi krimi, por më pas ishin ndarë dhe kjo ndarje e biznesit dyshohet se ka qenë dhe shkaku i konfliktit.
Viktimat, Dritan dhe Nora Muskurti lanë pas 3 fëmijë.
Tezja e dy vëllezërve tha se u informua nga mediat për lajmin e kobshëm.
Autori i krimit u arrestua nga policia dy orë pas krimit të dyfishtë.
Në operacion për kapjen e tij u përfshinë Forcat Operacionale, të cilat arritën ti vënë prangat Arsen Muskurtit në zonën e "5 Majit" në Tiranë.
Ekipi hetimor po mbledh materialet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të ngjarjes.
Ky është krimi i dytë në familje në 24 orët e fundit, pas dy viktimave që u regjistruan në Lezhë, ku dhëndri vrau ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij.



