Policia në Argjentinë bastisti ditën e sotme banesën dhe klinikën private të Leopoldo Luque, mjekut personal të Diego Armando Maradonës, i ndarë nga jeta të mërkurën e shkuar pas një ataku kardiak.

Ai akuzohet për mjekim të vonuar ndaj legjendës argjentinase.

Në një rrëfim të fundit, Luke e konsideron Maradonën si babain e tij, ndërsa këmbënguli se ndihet krenar për shërbimin që i bëri “Lojtarit të shekullit të 20-të”.

I prekur nga akuzat e familjes së “Djalit të Artë”, mjeku i Maradonës shtoi se nuk ka kryer asgjë të gabuar në trajtimin mjekësor të ish-futbollistit të Napolit dhe Argjentinës.

Deklarata e plotë e mjekut të Maradonës:

“Sa për lajmet që janë publikuar, nuk kam mundur as t’i lexoj, sepse jam tepër i prekur nga vdekja e mikut tim. Isha në mëngjes me të, isha në funeralin e tij dhe kam parë shumë njerëz atë ditë. Nuk arrij t’i besoj fjalët se unë nuk kam qenë pranë tij.

Nuk e di, mendoj se gjithçka që do të doja është që ai të ndodhej këtu. Ai donte të jetonte. U përpoqa ta shoqëroja. Doja ta sillja Diegon në shtëpinë time. Atij i mungonin shumë prindërit. Ne ndryshuam jetën e tij në fund dhe ai na la. Është e padrejtë, do të bëja të njëjtat gjëra nëse do të ktheheshim pas. Nuk e fajësoj veten për asgjë. Jam krenar për çfarë kam bërë.

Policia erdhi në shtëpinë time në një moment kur askush nuk priste. U dhamë atyre gjithçka që kërkonin. Madje më morën dhe një hard-disk që e mbaja prej 20 vitesh.

E di se çfarë kam bërë me Diegon. Kam gjithçka për të treguar dhe jam plotësisht i sigurtë se ajo që kam bërë për Diegon ishte më e mira e mundshme.

Diego i urrente doktorët dhe psikologët, por me mua ishte ndryshe, sepse jam i drejtë. Ai kishte nevoj për ndihmë, nuk mund të hyje dot në shtëpinë e tij. Nuk ishte i çmendur, vendosi vetë për t’u kuruar. Çdo gjë që u arrit që me vendosjen e infermieres e deri në fund u bë me dëshirën e tij. Nuk mund të merrja në qendër klinike një pacient nëse nuk përmbushet kriteri psikiatrik. Ai ishte gati të nxirrte këdo jashtë. Pastaj thonë disa gjëra idiote, të cilat shkatërrojnë kujtimin e mirë për Diegon, ai gjithmonë më donte”.

Lexo edhe:

Hetimi mbi vdekjen e Maradonës, policia bastis shtëpinë dhe klinikën e mjekut