Ndërron jetë majori shqiptar me mision në Afganistan, nisin hetimet
Kontigjenti i ushtarakëve shqiptarë në Afganistan humbi një anëtar mbrëmjen e të martës. Majori i shërbimit Informativ të Ushtrisë, Xhevahir Jazaj, ka vdekur në rrethana të paqarta ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes, thotë se ende po hetohet për zbardhjen e ngjarjes.
Një efektiv i ushtrisë shqiptare ka humbur jetën në Afganistan në rrethana ende të pasqaruara mirë nga Ministria e Mbrojtjes. Viktima mësohet se është 45-vjeçari, Xhevahir Jazaj, me gradë major, efektiv i Shërbimit Informativ Ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura bënë të ditur se efektivi i ushtrisë humbi jetën të enjten rreth orës 22:40, sipas kohës lokale në Afganistan.
Në deklaratë thuhet se autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Në një reagim lidhur me ngjarjen Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA siguruan personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t'u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.
Në deklaratë Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur.
Xhevahir Iljazi është ushtaraku i dytë shqiptar humb jetën në Afganistan, pasi në shkurt 2012 u vra kapiten Feti Vogli në një pritë me armë në një fshat të Kandaharit dhe i katërti në misionet e NATO-s. Në 2019 ranë në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni, major Klodian Tanushi dhe ushtarja Zarife Hasanaj.
