Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkon që ndasitë me Kosovën të zgjidhen me dialog dhe kompromis, përndryshe dy fqinjët i pret një konflikt i mundshëm, si ai për autonominë e Nagorno-Karabakut që muajin e kaluar la mbi 1 mijë të vrarë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Gjykimi në Hagë i zinxhirit udhëheqës të UÇK-së, mes tyre ish-presidenti, Hashim Thaçi, ka krijuar një ngërç institucional në Kosovë që mund t’i zgjatë efektet edhe te dialogu me Serbinë.

Presidentja në detyrë e vendit, Vjosa Osmani, propozoi ditët e fundit që bisedimet të ndërpriten përkohësisht deri sa spektri politik në vend të konsultohet gjerësisht për to.

Në Beograd, të enjten kreu i shtetit Serb, Aleksandër Vuçiç, nuk e komentoi situatën me Gjykatën Speciale, por ai paralajmëroi se pa vazhdimin e tryezave dypalëshe, nuk ka rrugëzgjidhje.

“Shumë mendojnë se tani gjendemi në pozitë shumë më të mirë për sa i përket Kosovës, për shkak të situatës së brendshme atje, dhe se deri në dhjetor apo janar Serbia nuk pret aq shumë presion nga fuqitë e mëdha. Por konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se një konflikt i grirë mund të kthehet në katastrofë të vërtetë.”

Vuçiç shtoi se mesazhi i Serbisë për Prishtinën është ai i paqes, por edhe që secila palë të nxjerrë mësime nga përplasjet mes tyre në vitet 90.

“Një nga mësimet është që konfliktin e ngrirë të mos ua lëmë fëmijëve tanë, por të punojmë për një zgjidhje me kompromis edhe kur pala tjetër nuk është gati për momentin. Në fund të fundit, çdokush duhet të varet te forcat e veta, dhe prandaj serbët do vazhdojnë të forcohen ekonomikisht, ushtarakisht, për ta mbrojtur vendin kurdoherë nga çdolloj agresori.”

Komentet, presidenti i Serbisë i bëri pas takimit me ambasadorin e SHBA-së, kreun e delegacionit të BE-së dhe të vendeve kryesore të unionit të njohura si pjesë e KUINT-it.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po ashtu i ka kundërshtuar thirrjet për pezullimin e dialogut me Serbinë, që vijnë edhe brenda koalicionit të tij, nga AAK-ja e Ramush Haradinajt.

Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se tryezat e dialogut synohet të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse Prishtinë-Beograd, që mund të përfundojë edhe me njohjen reciproke.