Mirupafshim Guvernator Fullani

Mirupafshim Guvernator Fullani

Tiranë -Të them mirupafshim sepse gjithnjë jemi parë nga podiumi ku ti shfaqeshe çdo muaj dhe u flisje shqiptarëve se çfarë po ndodhte me paratë e tyre. Nga ai podium, ku dukeshe si Zeusi në majë të Olimpit. Të them mirupafshim se do të shihemi sërish, por këtë radhë jo nga ai podiumi yt i paarritshëm, nga ku na je drejtuar për çdo muaj prej vitit 2004.

Të paktën, ky prokurori që nuk ia dinim as emrin deri para disa javësh, na dha një kënaqësi, të të shohim, jo nga maja e Olimpit të botës financiare shqiptare, por nga banka e të akuzuarëve në Gjykatën e Tiranës. Aty ku çdo qytetar i thjeshtë, ku çdo vdekatar i rendomtë, e ka ndjerë deri në palcë përplasjen e çekiçit të kryetarit të trupit gjykues.

Ti mund të dalësh i pafajshëm (në fakt i tillë je deri sa Gjykata të japë një vendim të formës së prerë), gjë që ndodh rëndom në Shqipërinë tonë. E kundërta, do të ishte çudi e madhe. Unë, jam vetëm një nga “NE” që sakrifikuam ditët e nxehta të gushtit, për të informuar sadopak opinionin publik, që të mos ndodhte ajo që ndodhi me vjedhjen e 340 kilogramëve flori nga thesari i shtetit.

Nuk e kemi përsonalisht me ty. Në fund të fundit ti je një qytetar i lirë në këtë vend. Por imazhi yt, atributi që i kishe veshur vetes, ajo çfarë ti përfaqesoje si lubrifikanti i oligarkisë politike, ekonomike dhe financiare, të kthyen në një maskot të frikshëm, të paprekshëm, në një simbol të korrupsionit që kishte baltosur gjithë elitën politike në këtë vend...mirupafshim Guvernator, ti je ende i tillë deri sa të shihemi sërish të hënën, këtë radhë jo nga maja e Olimpit, por nga banka e të akuzuarëve...

Ramadan Troçi (shpesh herë ata që e njohin nga afër, i flasin me nofkën e shkurtuar Dane) Prokuror i njësisë taskë-forcë pranë Prokurorisë së Tiranës. Eh mor Dane, c'na bëre!!!! Ramadani nuk është një prokuror alla Xhovani Falkone apo Paolo Borselino. Ai mbase nuk donte të ishte një hero. Ai është thjesht një shqiptar i ndershëm që e do vendin e vet, profesionin e vet.

Kisha kohë që kërkoja një hero. Nga ata prej vërteti. Nga ata që bëhen shembull kurajo dhe frymëzimi për gjithë shoqërinë, për brezat pasardhës. Të jeni të sigurt që nuk kërkoja dikë që kishte bërë ndonjë sakrificë të veçantë. Thjesht kërkoja një hero të ditëve të tona, nga ata që e shohin botën drejt në sy. Shpesh herë kujtohemi për heronjtë tanë, jo në të gjallë, por kur nuk i kemi më mes nesh. Për këtë shkak po kërkoja një hero të gjallë.

Mediat, nga mëngjesi në darkë, madje dhe 24 orë drejtpërdrejtë, na sjellin vetëm “heroizmat” e Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Kryeopozitarit, …e deri kryedreqit të këtij vendi. Këtu vetëm qeveritarët, politikanët dhe ata që janë majmur poshtë hijes së tyre flasin për “heroizma” që bëjnë çdo çast, çdo minutë në të mirë të vendit dhe popullit të tyre.

Prandaj më duhej një hero nga rruga, nga ata të thjeshtët, që bëjnë heroizma dhe nuk flasin për heroizmat që bëjnë. Ramadan Troçi nuk ka pse te mos jete një i tillë. Një prokuror që duke bërë detyrën e tij mori profilin e një prokurori hero, pasi guxoi të hetonte dhe çonte në burg, qoftë dhe për 48 orë, njeriun që dukej më i fuqishmi dhe më i paprekshmi në këtë vend. Shumë koleg të tij, ndoshta e kanë refuzuar këtë dosje, jo se janë më pak të zotë se ai. Por sepse nuk duan të kenë telashe me politikën dhe pushtetin. Të rrezikonin karrierën e tyre për një dosje ku qarin me qederin e ndan fija e perit.

Sot dielli në Tiranë ka lindur si çdo ditë, madje me duket sikur ajri ëshë paksa më i freskët, më i pastër. Jeta vazhdon, sikur te mos ketë ndodhur asgjë. Jo ashtu siç na deklaruan baballarët e kombit, se po të dorëhiqej Fullani mund të ndodhte qameti. Qielli do errësohej dhe dielli nuk do dilte.

Shqiptaret sot nuk do kenë më pak halle dhe probleme se dje, por thjeshtë në fytyrat e tyre do ketë më shumë shpresë se diçka po lëviz dhe se do bëhet me mirë. Prokurorin e çështjes, Ramadan Troçi, Kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha dhe Prokurorin e Përgjithshem Adriatik Llalla do i përgëzojnë, madje qytetaret ne rruge nese do ti njohin, do i ndalin dhe do t’u shtrëngojnë dhe dorën.

Guvernatori Fullani, që nuk do ketë vënë gjumë në sy gjithë natën, do ta ketë kuptuar se sa pak (mjafton dhe firma e një Prokurori me emrin e shkurtuar Dane) duhet të përfundosh nga maja e Olimpit në qelinë e izolimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë. Në qelinë ngjitur, ndoshta kryekomunari i Berzhites, Genci Drita, i arrestuar vetëm 24 orë me parë, mund t’i ketë dhënë kurajo,"fundja burgu për burrat është". Dhe kur mendon se kryekomunari i Bërzhitës, është shok qelie me Guvernatorin, vetëm pse u kap duke marrë një rryshfet 4500 euro të vjen të shkrihesh gazit.

Guvernator, uroj që miqtë e tu, ata me të cilët ke udhëtuar me mijëra herë jashtë shtetit në bisnessclas, duke ua paguar t’i biletat, ata me të cilët ke harxhuar ndoshta dhe miliona euro në hotelet dhe resortet me lukzose të Evropës dhe botës, ata të cilët të premtuan se nuk kishte "bir kurve" në këtë vend qe do të guxonte të prekte qoftë dhe nje fije floku,...të të jenë pranë sot në ketë ditë të zezë, kur ti ke nevojë më shumë se kurrë për miq dhe mbështetje.

Në të kundërt...më mirë që je aty nën mbrojtje nga policia, sepse motorri i zi dhe dy atentatorët që ekzekutuan barbarisht, mikun e të gjithëve ne, Artan Santo para shkallëve të bankës së vet, mund të bënin sërish një xhiro në zonën VIP të kryeqytetit. Jeta vazhdon.....

EMISIONET