E ftuar në RTV ora, ministrja e Arsimit Evis Kushi u shpreh se ajo që e ka shqetësuar më shumë është nxitje dhe përdorimi i minorenëve për akte dhune.

Kushi tha se ka indicie që në pjesëmarrje të protestës kanë qenë disa nga opozita dhe se deklaratat e saj janë keqkuptuar.

Kushi: Ajo që na ka shqetësuar ne më shumë nuk ka qenë protesta, e vlerësojmë protestën kur është paqësore, të cilët kanë dhënë rezultat. Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje për të arritur qëllimet. Ajo që më shqetëson është nxitje dhe përdorimi i minorenëve për akte dhune. Në 30 vite nuk kemi parë akte të tilla ku përfshihen fëmijët.

Ky është shqetësimi më i madh që duhet të kemi si shoqëri. Ne kemi përgjegjësi për edukimin e këtyre të miturve. Ne duhet t’i edukojmë këta persona me vlerat më të mira. Ne duhet t’i ndihmojmë këta të mitur që ushtrojnë dhunë. Ka indicie që në pjesëmarrje të protestës kanë qenë disa nga opozita. Në disa qytete të vendit janë sulmuar selitë e PS-së. Nga ana tjetër nuk kam parë asnjë nga përfaqësuesit e opozitës që të bëjnë thirrje për të ndaluar dhunën.

Kushi shtoi se fëmijët e kanë të vështire të kenë një revoltë dhe të ngrihen kundër qeverisë dhe ministrit të Brendshëm.

Kushi: Deklarata e mia janë keqkuptuar, sepse i kam bërë vetëm për minorenë. E ka për detyrë psikologu i shkollës që t’i ndihmojnë këta fëmijë si duhet. Fëmijë që thyejnë xhama, shkulin semaforë dhe djegin pemë, janë akte dhune. Edhe sikur që fëmija  të ketë një revoltë, edhe pse më duket e vështirë që fëmijët të ngrihen kundër qeverisë dhe ministrit të Brendshëm. Ne duhet t’i mësojmë se fëmijët të reagojnë në mënyrë paqësore. Unë jam shqetësuar këto ditë dhe jam e sigurt që edhe prindërit e tyre janë shqetësuar për ata fëmijë.