Në kulmin e pandemisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka hapur një tender me vlerë 1.4 mln euro për prodhimin e 33 mijë kartave për leje qëndrimi për shtetasit e huaj në Shqipëri.

Përmes kësaj procedure synohet që kartat biometrike të jepen brenda një afati 5 vjeçar për të gjithë personat  e huaj që hyjnë dhe dalin nga territori i Shqipërisë.

Sipas një shtojce në Agjencinë e Prokurorimeve Publike me këtë financim parashikohet ndër të tjera edhe blerja e 10 seteve të pajisjeve të zyrave dhe lidhja me internet edhe pse ky shërbim sipas ligjeve në fuqi aktualisht ofrohet nga sektori i kufirit dhe migracionit në Policinë e Shtetit.

Dokumenti që shikoni në foto është modeli i dokumentit biometrik dhe ai do të zëvendësojë lejen aktuale të qëndrimit për të huajt.

Karta biometrike është e njëjtë me kartën identifikuese që përdorin shtetasit shqiptarë por do të ketë ndryshime përsa i përket kohëzgjatjes së tij si dhe do të përmbajë elementë të qëllimit të personit në vendin tonë.

Më parë leja e qëndrimit jepej në një dokument me formatin A4 dhe printohej në zyrat lokale të drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit.

Në dokumentat standarde të tenderit argumentohet se leja e qëndrimit e kompozuar me elementë sigurie dhe teknologji printimi sipas standardeve europiane do të rrisë sigurinë në krahasim me modelin aktual të lejes.

Sistemi do të aksesohet nga punonjësit e emigracionit në drejtoritë e kufirit dhe migracionit që do të jenë në rolin e operatorit për kryerjen e procedurës së aplikimit biometrik.

Ky sistem do të aksesohet dhe nga punonjës të Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit në rolin e monitoruesit dhe administrimit të përdoruesve.

Procedura e hapur me 15 tetor rezulton të jetë anuluar por ende nuk ka asnjë arsye për vendimin, ndërkohë që aplikimi por edhe dorëzimi i lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj aktualisht bëhet nga sektori i emigracionit në policinë e shtetit.