Milan përgënjeshtron letrën për largimin e Alegrit
Klubi i Milanit është detyruar të publikojë një përgënjeshtrim për të hedhur poshtë zërat që flisnin se presidenti Silvio Berluskoni kishte shkarkuar trajnerin Masimiliano Alegri gjatë ditës së Hënë.
Në mediat italiane qarkulloi një prononcim i ish-kryeministrit italian, i cili fliste për spastrim të plotë të stafit teknik të skuadrës, duke lënë të kuptohej se edhe Alegri ishte i përfshirë nga reforma. Por klubi ka hedhur poshtë gjithçka, duke përgënjeshtruar ekzistencën e kësaj deklarate.
"Do të ketë një ndryshim total në stafin teknik. Nëse është e nevojshme do të riorganizojmë edhe strukturën e klubit. Pas fillimit zhgënjyes të sezonit, mu desh të ndërhyja dhe të kërkoja që situata të ndryshonte sa më parë. Isha unë që insistova që skuadra të zbriste në fushën e lojës me një rreshtim të ndryshëm taktik, pasi kam shumë eksperiencë në këtë fushë", ishte komenti i Berluskonit, i publikuar gjatë emisionit "Il Processo di Biscardi", ku pretendohej se këtë deklaratë ua kishte nisur vetë presidenti i kuqezinjve.
Po gjatë natës së të Hënës ku u shfaq për herë të parë kjo letër, Milani ka bërë menjëherë përgënjeshtrim zyrtar duke mohuar që ajo letër ka dalë nga zyrat e Milan dhe se nuk është shkruar nga asnjë pjestar i bordit drejtues. "Presidenti i nderit, Silvio Berluskoni, na ka komunikuar se nuk ka lëshuar gjatë ditës së sotme asnjë deklaratë apo nuk ka shkruar asnjë letër që ka si objekt klubin e Milanit", shkruhet në përgënjeshtrimin e kuqezinjve. Kjo situatë ka bërë më të paqartë situatën në lidhje me qëndrimin apo jo të Alegrit në krye të Pankinës së Milan, e cila pritet që të marrë një përgjigje përfundimtare në dy ditët e ardhshme ku palët do të ulen për të diskutuar përfundimisht këtë çështje.
