Rregulli i mbajtjes me detyrim i maskës edhe në ambiente të hapura u neglizhuar nga një pjesë e qytetarëve në rrethet e vendit.

Pamjet që vijnë nga Fusha Kruja, tregojnë se si qytetarët masivisht nuk e zbatuan aktin normative të qeverisë për mbajtjen e maskave me detyrim në ambiente të hapura.

Shkelësit e rregullave ishin nga të gjitha moshat.

Në Elbasan, ishin kryesisht të rinjtë ata që këtë të enjte kishin dalë pa maska në rrugë.

Pjesa më e madhe ishte bindur, dhe efekt thanë se ka dhënë gjoba.

“Vetëm për shkak të gjobës, asnjë gjë tjetër”, shprehet qytetari nga Elbasani.

Ndëshkimi kishte ndërgjegjësuar edhe vlonjatët, ku një pjesë e konsiderueshme thanë se kanë zgjedhur maskat artizanale, pasi nuk ia dalin dot të blejnë çdo ditë maska farmaceutike

“Me maska një përdorimshe nuk të del hesapi”

“Tani do të fillojmë që t’i bëjmë vetë”, shprehen qytetarët e Vlorës. 

Nga veriu në jug, qytetarët zbatues apo shkelës të rregullit për mbajtjen e maskës në ambiente të hapura folën për pamundësinë ekonomike për të përballuar koston e re që tashmë i shtohet familjes.

“Me aq lek sa marrim ne, maskat nuk blejmë – jo një në ditë, por as tre maska në muaj nuk blejmë dot”, shprehet qytetari .

Në pedonalen e Korçës pa maskë doli edhe ish deputeti i LSI, Endrit Brahimllari si shenjë revolte sic tha kundër aktit normativ,  sipas tij në kundërshtim me ligjin.

Endrit Brahimllari: “A është kjo një mënyrë që Edi Rama po Bën sepse ka tenderuar maska pa fund dhe do që t’i shesi?! Kjo është çështje që duhet të merrët SPAK-u më këtë histori”

Në të gjitha qytetet e vendit në terren dolën forcat e Policisë së Shtetit dhe ato bashkiake të cilët ndëshkuan qytetarë që kishin dalë në rrugë pa maska.