Vera pa infeksione dhe kujdesi intim, Omeri: Klori dhe lagështia mund të rrisin rrezikun e infeksioneve te gratë!

Pushimet verore dhe frekuentimi i pishinave apo plazheve sjellin relaks dhe argëtim, por gjithashtu mund të rrisin rrezikun e shqetësimeve intime, veçanërisht te gratë dhe grupet më të ndjeshme. E ftuar në një intervistë për Ora News, gjinekologia Xheni Omeri ndau këshilla të rëndësishme për parandalimin e infeksioneve urogjenitale gjatë sezonit të verës.

Sipas saj, infeksionet intime janë ndër ankesat më të shpeshta gjatë muajve të nxehtë, sidomos te gratë që kalojnë periudha të gjata në plazh apo pishinë.

Omeri shpjegoi se problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me marrjen e infeksioneve nga uji, por me faktin se klori i pishinave mund të dëmtojë florën natyrale bakteriale që mbron organizmin nga infeksionet mykotike dhe bakteriale. Më të rrezikuara janë gratë shtatzëna, fëmijët, adoleshentet dhe personat që kanë predispozitë për infeksione të traktit urogjenital.

Gjinekologia rekomandon që pas daljes nga pishina apo deti të bëhet shpëlarja e trupit për të larguar klorin dhe kripën, si dhe të ndërrohen sa më shpejt rrobat e lagura të banjës.

Ajo këshillon përdorimin e veshjeve të gjera prej pambuku ose linoje, duke shmangur materialet sintetike dhe rrobat e ngushta që favorizojnë djersitjen dhe lagështinë në zonat intime.

Një tjetër gabim i zakonshëm, sipas Omerit, është përdorimi i tepërt i detergjentëve intimë dhe dusheve vaginale. Ajo theksoi se higjiena e tepruar mund të dëmtojë florën bakteriale mbrojtëse dhe të rrisë rrezikun për infeksione mykotike apo vaginozë bakteriale. Për këtë arsye rekomandohen produkte të buta me pH neutral dhe përbërës natyralë.

Në përfundim, specialistja nënvizoi se kujdesi intim gjatë verës nuk lidhet vetëm me higjienën, por edhe me një stil jetese të shëndetshëm. Hidratimi i mjaftueshëm, ushqyerja e balancuar dhe respektimi i disa rregullave të thjeshta të kujdesit personal mund të ndihmojnë në shmangien e infeksioneve dhe në kalimin e pushimeve pa shqetësime shëndetësore.

Xheni Omeri: Si shpesh kur frekuentojmë pishinat apo plazhet për një kohë të gjatë. Nuk është thjesht frekuentimi i një dite, por kur bëhet fjalë për pushime, është një javë apo 10 ditë. Dhe në përgjithësi, për ne si gjinekologë, infeksionet urogjenitale janë ato ndër ankesat më të zakonshme të periudhës së verës, ku pacientja në këtë rast është me pushime diku larg nesh dhe na shkruan apo na kontakton për të marrë ndonjë mjekim për të qetësuar simptomat.

Sepse kemi shkuar për pushime dhe jo për të pasur siklet apo djegie apo probleme të traktit intim, që na i prishin ato pushimet tona që kishim ndërmend. Dhe këtu fillojnë këshillat që ne mundohemi t'ua japim të gjitha grave në fakt që veçanërisht grupit të grave shtatzëna. Por edhe të gjitha atyre pacienteve që, për shembull, verën e kaluar kanë pasur një episod të tillë dhe ose kanë një ndjeshmëri nga nga nga pishinat apo një lloj tendence për të bërë infeksione urogjenitale, prandaj këto persona që janë pak më të ndjeshëm, siç është grupi i fëmijëve, mosha pediatrike, gruaja shtatzënë, pra i futen te grupet e riskut.

Por gjithashtu ka dhe persona të tjerë që traktin urogjenital e kanë pak më të brishtë, në thonjëza. Në fakt nuk është se nga uji i pishinës ne marrim direkt një infeksion. Çështja është që uji i pishinës në krahasim me të detit ka klorin si element ndryshe dhe klori duke vepruar mbi lëkurë apo në mukozat e organeve intime, vret ato bakteret e mira që ne na mbrojnë nga infeksionet mykotike apo bakteriale që vetë organizmi i ka të pranishme. Pra nuk është se ti u fute në pishinë dhe more diçka, pishina të ka dëmtuar florën tënde normale të baktereve të mira që na mbrojnë dhe rrjedhimisht të kemi shqetësime, iritime të traktit intim.

Atëherë, për vajzat e reja, adoleshentet, por edhe në përgjithësi për vetë gruan që do jetë me pushime.E para është që në momentin që ti ke dalë nga pishina, është të shpëlahesh. Pra, të heqim klorin, kjo është ideja. E dyta është që të ndërrojmë rrobat e banjës nëse është mundësia. Pra, nëse ti do qëndrosh për një kohë pak më të gjatë para se të futesh në det, mund të veshësh rroba banje të tjera, ose të ndërrohesh dhe të veshësh rroba jo sintetike. Pra, rrobat normale. Pra, nëse do kemi atë pauzën që do hamë drekën, mund të qëndrosh me rroba normale, jo me rrobat sintetike të banjës. Po, sapo ke dalë nga pishina apo plazhi, apo nga deti në këtë rast.

Të vishemi jo me rroba të ngushta, pra të shmangim sa më shumë streçet apo veshjet e ngushta që predispozojnë djersitjen dhe pengojnë ajrosjen e lëkurës apo të zonës intime. Preferohet shumë materiali pambuk ose lino dhe veshje të gjëra. Pra kjo vlen si për fëmijët, për gocat e reja në adoleshencë ashtu dhe për gruan shtatzënë, apo një grua jo shtatzënë në këtë rast.

  Ndonjëherë ajo higjiena më shumë se ç'duhet, dhe kur them në këtë rast e kam fjalën për ato gra që përdorin detergjentë të ndryshëm intimë apo përdorin lavanda për dush vaginal. Në literaturë rekomandohet shmangia sa më shumë e këtyre dusheve vaginalë sepse vagina nuk ka nevojë të shpëlahet.

Dhe përdorimi i detergjentëve intimë me një pH sa më neutral, sa më bazik dhe me laktobacile dhe me përbërës bimorë që janë shumë të butë me mukozën. Dhe ndonjëherë kjo larja më shumë se ç'duhet me këto detergjentët intimë mund të dëmtojë sërish florën bakteriale dhe mund të të predispozojë për një infeksion mykotik ose për vaginozis, që këto janë dy diagnoza shumë të shpeshta të periudhës së verës te gratë.

Pra veshja, mënyra se si ne kujdesemi që të shmangim sa më shumë atë lagështinë që mbajnë rrobat e banjos. Pjesa tjetër është hidratimi dhe një ushqyerje sa më e mirë. Sepse ne reflektojmë, ushqimi është një komponent kryesor në imunitetin tonë. Gjithashtu dhe hidratimi.

EMISIONET