PAMJET/ Premiera “sekrete” që TRONDITI Uashingtonin! Dokumentari i Melania Trump lë jashtë mediat dhe përçan…

PAMJET/ Premiera “sekrete” që TRONDITI Uashingtonin!

Premiera e dokumentarit “Melania”, që sjell në fokus momente të përzgjedhura nga jeta e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, ka shkaktuar reagime të forta dhe debat të gjerë në qarqet mediatike dhe artistike.

Shfaqja, e mbajtur në Kennedy Center në Uashington, u zhvillua pa praninë e gazetarëve dhe kritikëve të filmit, të cilëve iu ndalua hyrja në sallë.

Ndërkohë që Amazon MGM Studios ka investuar rreth 40 milionë dollarë për të drejtat e dokumentarit dhe afro 35 milionë dollarë të tjera për promovimin e tij, mediat kryesore amerikane mbetën jashtë premierës.

Sipas raportimeve të Variety, filmi u shfaq ekskluzivisht për Donald Trump dhe të ftuarit e tij, kryesisht miq dhe figura politike aleate, mes tyre edhe Nicki Minaj dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.

Gazetarë nga media të njohura si New York Times, Washington Post, Associated Press dhe Vanity Fair nuk u lejuan të ndjekin shfaqjen, çka ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën e projektit.

Dokumentari ndjek Melania Trump gjatë 20 ditëve para inaugurimit presidencial të vitit 2025 dhe është realizuar nga regjisori Brett Ratner.

Emri i tij ka rikthyer polemika të vjetra, pasi në vitin 2017 ai u akuzua publikisht nga gjashtë gra për ngacmim dhe sulm seksual, akuza që Ratner i ka mohuar vazhdimisht.

Gjatë premierës, regjisori u përpoq të justifikonte buxhetin e lartë të filmit, duke theksuar se projekti ka angazhuar profesionistë të nivelit të lartë dhe se shpenzime të tilla janë të zakonshme për prodhime ambicioze. Megjithatë, polemikat nuk përfundojnë këtu.

Sipas një raporti të Rolling Stone, i mbështetur në burime anonime nga ekipi i filmit, rreth dy të tretat e stafit, veçanërisht ata nga Nju Jorku, kanë kërkuar që emrat e tyre të mos përfshihen në titrat përfundimtarë, duke u distancuar publikisht nga projekti.

Vetë Melania Trump, e cila figuron edhe si producente përmes kompanisë së saj, u shpreh se “Melania” nuk duhet parë si një dokumentar tradicional, por si një “përvojë kreative” që pasqyron këndvështrime dhe momente të zgjedhura nga jeta e saj.

Pavarësisht një fushate intensive marketingu dhe shfaqjes në mbi 1.500 kinema në mbarë botën, filmi po përballet që në ditët e para me interes të ulët nga publiku dhe kritika që e cilësojnë përmbajtjen si të cekët, duke e krahasuar më shumë me një projekt promovues sesa me një dokumentar autentik.

EMISIONET