Nga pandemia te pasiguria ekonomike, pse të rinjtë po identifikohen me filmat e frikshëm!

Filmat e frikshëm po përjetojnë një periudhë të artë mes të rinjve të Brezit Z, duke u kthyer në një nga zhanret më të preferuara të kinemasë.
Suksesi i prodhimeve të fundit si “Obsession” dhe “Backrooms” tregon se audienca e re nuk kërkon më vetëm argëtim, por histori që pasqyrojnë ankthin, pasiguritë dhe sfidat e jetës reale.
Sipas ekspertëve, zhanri i filmave të frikshëm ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Në vend të skenave të thjeshta me gjakderdhje dhe terror, shumë prej filmave modernë trajtojnë tema sociale dhe psikologjike si izolimi, traumat, pasiguria ekonomike dhe krizat identitare.
Terapistja dhe autorja Lauren Cook shprehet se Brezi Z është më i gatshëm të përballet me anët e errëta të realitetit sesa brezat e mëparshëm.
Të rinjtë e lindur mes viteve 1997 dhe 2012 janë rritur mes krizës financiare globale, pandemisë së Covid-19, katastrofave klimatike dhe pasigurive për të ardhmen profesionale, duke i bërë më të ndjeshëm ndaj historive që pasqyrojnë këto shqetësime.
Edhe analistët e kulturës pop vërejnë se çdo brez ka pasur zhanrin e vet karakteristik të frikës.
Ndërsa dekada të tjera u dominuan nga vrasës serialë, frika nga satanizmi apo skenarët apokaliptikë, sot filmat e frikshëm fokusohen te problemet sociale dhe psikologjike që prekin drejtpërdrejt të rinjtë.
Të dhënat tregojnë se 91% e konsumatorëve të Brezit Z ndjekin filma ose seriale të frikshme, përqindja më e lartë krahasuar me çdo grupmoshë tjetër.
Ndërkohë, ky zhanër përbën tashmë 17% të shitjeve të biletave në kinematë e Amerikës së Veriut, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 4% një dekadë më parë.
Përveç tematikave që i prekin nga afër, filmat e frikshëm po tërheqin Brezin Z edhe për shkak të diskutimeve që nxisin në rrjetet sociale. Të rinjtë jo vetëm i shohin këta filma, por analizojnë simbolikat, mesazhet dhe kuptimet e fshehta, duke i kthyer ato në tema virale debati.
Për shumë të rinj, filmat e frikshëm nuk përfaqësojnë më një arratisje nga realiteti. Përkundrazi, ata janë një pasqyrim i botës në të cilën jetojnë çdo ditë.

