Khloé e akuzoi publikisht, Lamar Odom kundërshton: Martesa jonë nuk ishte për interes

Lamar Odom ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga dokumentari i tij në Netflix, duke hedhur poshtë pretendimet se martesa me Khloé Kardashian kishte si qëllim përfitimin e famës apo ndikimit të familjes Kardashian.
Debati nisi pas publikimit të dokumentarit "Untold: The Death & Life of Lamar Odom", ku një mik i ish-basketbollistit pretendon se ai kishte thënë në ditën e dasmës se martesa me Khloé do t'i siguronte një të ardhme më të mirë falë lidhjeve të familjes së saj.
Këto komente sollën reagimin e Khloé Kardashian, e cila u shpreh e zhgënjyer në podcastin e saj, duke kujtuar se kishte marrë pjesë në dokumentar pa pagesë dhe si një gjest mbështetjeje.
Në një intervistë për podcastin "Nothing's Off the Table with Louis Ruggiero", Odom mohoi kategorikisht që ato fjalë të kenë dalë ndonjëherë prej tij.
"Kjo nuk ka dalë kurrë nga goja ime. Nuk u martova me Khloén për famë. E doja, por nuk kisha nevojë për më shumë famë."
Sipas tij, deklaratat mund të jenë bërë nga persona të tjerë të intervistuar në dokumentar. Odom kujtoi se ishte tashmë një figurë e njohur në sport dhe se përpara lidhjes me Khloén kishte qenë në një marrëdhënie me një aktore të famshme.
"Kur takova Khloén, gjithçka erdhi natyrshëm mes nesh."
Lamar Odom dhe Khloé Kardashian u martuan në vitin 2009, vetëm një muaj pasi nisën lidhjen. Ata u ndanë në vitin 2013, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2016, pasi Khloé qëndroi pranë tij gjatë rikuperimit pas mbidozës që i rrezikoi jetën.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, marrëdhënia mes tyre mbetet e tensionuar. Së fundmi, Khloé Kardashian ka bërë të ditur se nuk dëshiron të marrë më pjesë në projekte që lidhen me ish-bashkëshortin, duke e akuzuar se vazhdon ta diskreditojë publikisht dhe të minimizojë mbështetjen që ajo i dha në periudhën më të vështirë të jetës së tij.


