“Ancelotti nuk ka faj”/ Çelmeta zbardh krizën e Brazilit: Problemi është te...
Brazilianët e kanë përjetuar me zhgënjim paraqitjen e fundit të kombëtares në Botëror, por sipas gazetarit sportiv Roland Çelmeta, problemi i Brazilit nuk lidhet me trajnerin italian Carlo Ancelotti.
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, Çelmeta analizoi situatën e skuadrës braziliane pas kritikave të shumta për mungesën e shkëlqimit të dikurshëm dhe për rezultatet e fundit.
Sipas tij, ardhja e Ancelottit në pankinë është parë gabimisht si një arsye e krizës, ndërsa trajneri italian ka zgjedhur lojtarët që përshtaten me mënyrën e tij të lojës.
“Brazili kishte ndryshuar trajner dhe kishte marrë një trajner italian. Don Carlo Ancelotti mblodhi në kombëtare ata lojtarë që i përgjigjen skemave të tij”, u shpreh Çelmeta.
Gazetari solli si shembull ndeshjen ndaj Norvegjisë, ku sipas tij problemet nuk erdhën nga organizimi taktik, por nga gabimet individuale të futbollistëve.
“Nuk është faji i Ancelottit që humbet një penallti, që një lojtar del vetëm me portierin dhe nuk shënon, apo që Martinelli nuk koordinohet në hapësirë për goditjen me kokë”, tha Çelmeta.
Ai u shpreh se Brazili vazhdon të ketë potencial, por mungesa e qetësisë dhe e saktësisë në momentet vendimtare ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e skuadrës.
Sipas analizës së tij, kritikat ndaj Ancelottit nuk pasqyrojnë atë që ka ndodhur realisht në fushë, pasi trajneri ka bërë zgjedhjet e tij, ndërsa përgjegjësia kryesore mbetet te lojtarët për rastet e humbura dhe gabimet individuale.


