Kafe në 60 metra lartësi / Virale në rrjet, kafeneja e rrezikut në Kinë tërheq të apasionuarit pas adrenalinës

Kafe në 60 metra lartësi / Virale në rrjet, kafeneja e rrezikut

Një kafene e ndërtuar në faqen e një shkëmbi të thepisur në provincën Fujian të Kinës është kthyer në një nga atraksionet më të përfolura së fundmi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e turistëve dhe dashamirësve të eksperiencave ekstreme.

E njohur si Cliff Coffee, kjo kafene ndodhet rreth 60 metra mbi nivelin e detit dhe ofron një përvojë jo të zakonshme, ku klientët nuk ulen në ambiente tradicionale, por në platforma metalike të fiksuara drejtpërdrejt në shkëmb, me pamje spektakolare dhe shumë adrenalinë.

Rruga për të mbërritur në këtë vend nuk është e lehtë. Vizitorët duhet të përshkojnë një shteg malor të tipit “via ferrata” për rreth 30 minuta dhe më pas të zbresin me litar drejt platformave, gjithmonë nën mbikëqyrjen e stafit të trajnuar për sigurinë.

Edhe pse kafeneja nuk është një fenomen i ri, ajo ka marrë vëmendje të madhe vetëm kohët e fundit, pasi pamjet dhe videot nga vendi janë bërë virale në platforma të ndryshme online. Kjo ka sjellë një rritje të madhe të interesit dhe kërkesave për vizita.

Një filxhan kafe kushton rreth 398 juanë (afërsisht 58 dollarë), ndërsa çmimi përfshin jo vetëm pijen, por edhe pajisjet e sigurisë dhe asistencën gjatë gjithë përvojës në shkëmb.

Sot, “Cliff Coffee” shihet si një destinacion i veçantë për ata që kërkojnë emocione të forta, duke kombinuar natyrën, aventurën dhe një eksperiencë ndryshe kafeje në një nga vendet më të pazakonta në botë.

EMISIONET