MBËSHTETJE PËR JETËN/ Ryder Albania e Ambasada Britanike ndërgjegjësim për kujdesin paliativ
Rritja e ndërgjegjësimit dhe e mbështetjes për kujdesin paliativ bëri bashkë në një aktivitet të organizuar nga Ryder Albania dhe Ambasada Britanike në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe organizatave partnere.
Prej vitit 1993, Ryder Albania ofron kujdes paliativ në banesë në Tiranë dhe Durrës për qindra pacientë dhe familjet e tyre, ndërsa Drejtorja Ekzekutive, Rudina Rama, zbuloi sfidat dhe nevojën për më shumë mbështetje për këtë shërbim.
Ana Perolls nga Hospices of Hope UK, donatorja më e madhe e Ryder Albania, vlerësoi progresin e arritur ndër vite dhe ndikimin pozitiv që këto shërbime kanë pasur në jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre.
Perolls: Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij programi. Ne kemi vite që punojmë me këto familje për t’u ofruar atyre mbështetje të vazhdueshme dhe për të siguruar që pacientët të marrin kujdes dinjitoz dhe profesional në fazat më të vështira të sëmundjes.
Përfaqësues të biznesit privat theksuan rëndësinë e angazhimit të sektorit privat në mbështetje të shërbimeve sociale përmes politikave të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës (CSR).
Eventi shërbeu si një platformë për të rikujtuar se kujdesi paliativ nuk është vetëm një shërbim shëndetësor, por edhe një mbështetje e rëndësishme humane dhe sociale për pacientët dhe familjet e tyre.

