Rikthimi i një paraziti të rrallë ngre shqetësime në SHBA!

Autoritetet amerikane të shëndetit dhe bujqësisë po monitorojnë me shqetësim rikthimin e “krimbit vidë të Botës së Re” (New World screwworm), një parazit i rrezikshëm që mund të shkaktojë dëme serioze te kafshët dhe, në raste të rralla, edhe te njerëzit.
Ky dëmtues ishte eliminuar nga Shtetet e Bashkuara prej dekadash falë programeve intensive të kontrollit, por së fundmi është shfaqur sërish në zona pranë kufirit jugor, duke ngritur alarmin tek autoritetet.
Ndryshe nga shumica e larvave të mizave që ushqehen me inde të vdekura, larvat e këtij paraziti sulmojnë mishin e gjallë. Mizat femra vendosin vezët në plagë të hapura ose në mukozat e kafshëve, ndërsa larvat, sapo çelin, depërtojnë në inde duke shkaktuar dëmtime të rënda, infeksione dhe, në raste të patrajtuara, edhe vdekje.
Ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i këtij paraziti mund të ketë pasoja të mëdha për sektorin blegtoral, ndaj po merren masa të shtuara monitorimi dhe kontrolli për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

