Sektori bankar prek rekordin e dy dekadave / Rreziku gjeopolitik që mund të shtrenjtojë kreditë në 2026

Sektori bankar prek rekordin e dy dekadave / Rreziku gjeopolitik që mund

Qytetarët dhe bizneset në Shqipëri kanë vijuar të shlyejnë në kohë detyrimet e tyre bankare, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të treguesve të sistemit financiar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin prill niveli i kredive me probleme ka rënë në 3.75%, nga 3.85% që ishte një muaj më parë, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta në rreth dy dekada.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia është edhe më e theksuar, pasi kreditë me probleme ishin mbi 4% në prill të vitit 2025. Kjo prirje konsiderohet si tregues i qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe disiplinës financiare të huamarrësve, si qytetarë ashtu edhe biznese.

Përmirësimi i cilësisë së kredisë ka ndikuar edhe në rritjen e huadhënies nga sektori bankar. Gjatë muajit prill, bankat kanë miratuar 39.1 miliardë lekë kredi të reja, një rritje prej rreth 19% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rritja është nxitur kryesisht nga bizneset, ku kredia e re është zgjeruar me 25%, ndërsa te individët rritja ka qenë më e moderuar, rreth 8%.

Ndërkohë, zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme po rrisin pasiguritë për inflacionin në vitin 2026, kryesisht përmes ndikimit në çmimet e energjisë dhe karburanteve. Aktualisht inflacioni në vend qëndron rreth nivelit 3%, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një përshkallëzim i mundshëm i tensioneve mund të ndikojë në rritjen e normave të interesit, çka do të kishte efekt në aftësinë paguese të huamarrësve, në varësi të kohëzgjatjes së krizës dhe zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

EMISIONET