Fjetja me kufje gjatë natës? Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet ndaj dëgjimit!

Miliona njerëz bien në gjumë çdo natë duke dëgjuar muzikë, podkaste ose tinguj relaksues si zhurma e shiut dhe e valëve. Por, sipas ekspertëve, ky zakon i përhapur mund të ketë pasoja për shëndetin e veshëve nëse nuk ndiqen disa rregulla të thjeshta.
Përdorimi i kufjeve gjatë natës mund të jetë praktik, sidomos kur nuk dëshironi të shqetësoni familjarët, por specialistët paralajmërojnë se nuk është gjithmonë zgjedhja më e sigurt, shkruan “Express”.
Specialistët e “Cleveland Clinic” këshillojnë të mos përdorni funksionin e anulimit të plotë të zhurmës gjatë gjumit.
Sipas tyre, izolimi total nga ambienti mund të jetë i rrezikshëm, pasi mund të mos dëgjoni alarme, sinjale paralajmëruese ose situata emergjente që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Audiologia Valerie Pavlovich Ruff shpjegon se përdorimi i kufjeve për relaksim nuk është domosdoshmërisht problematik, por gjithçka varet nga mënyra se si përdoren.
Volumi mund të bëjë diferencën?
Ekspertët rekomandojnë që volumi të mos kalojë 50 për qind të kapacitetit të pajisjes.
Një mënyrë e thjeshtë për ta testuar është kjo: nëse mund të dëgjoni dikë që flet pranë jush pa i hequr kufjet, volumi është në një nivel më të sigurt.
Gjithashtu, nuk rekomandohet që muzika ose podkastet të qëndrojnë ndezur gjatë gjithë natës. Në vend të kësaj, përdorni funksionin e fikjes automatike (sleep timer), i cili e ndalon audion pasi të keni fjetur.
Mos harroni higjienën!
Kufjet grumbullojnë dyll veshi, djersë dhe baktere, të cilat me kalimin e kohës mund të shkaktojnë irritime ose infeksione.
Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë pastrimin e tyre të paktën një herë në javë.
Cilat kufje janë më të sigurta?
Nëse dëgjoni audio gjatë gjumit, ekspertët sugjerojnë përdorimin e kufjeve të projektuara posaçërisht për natën.Modelet pa tel që vendosen mbi vesh ose të integruara në shirita për gjumë konsiderohen më të rehatshme dhe më pak të rrezikshme sesa kufjet që futen thellë në kanalin e veshit.
Sipas organizatës “DeafblindUK”, niveli i zërit duhet të mbahet mes 60 dhe 85 decibelëve. Nëse dëgjoni muzikë me rreth 100 decibel, ekspozimi nuk duhet të zgjasë më shumë se 15 minuta.
Shenjat që mund të tregojnë dëmtim të dëgjimit:
Specialistët këshillojnë të mos injoroni simptomat si:
-vështirësi për të kuptuar bisedat, sidomos në ambiente me zhurmë;
-nevoja për t’u kërkuar të tjerëve të përsërisin fjalët;
-dëgjimi i televizorit ose muzikës me volum shumë të lartë;
-vështirësi gjatë bisedave telefonike;
-lodhje ose stres pas përpjekjeve për të dëgjuar.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Ekspertët theksojnë se fjetja me kufje nuk është domosdoshmërisht e dëmshme, por mund të bëhet problem nëse përdoren në mënyrë të gabuar.
Nëse vini re dhimbje në vesh, ulje të dëgjimit, zhurmë të vazhdueshme në veshë ose shenja infeksioni, rekomandohet të ndaloni përdorimin e kufjeve gjatë natës dhe të konsultoheni me një mjek sa më shpejt.

