Rama për BBC: Dua një drejtësi që nuk sheh as majtas, as djathtas. Ky është kontributi më i madh që PS do t’i japë vendit

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar reformën në drejtësi si një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në një intervistë për BBC News.
Sipas Kryeministrit, sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur, duke vepruar pa dallime politike.
Rama rithekson se reforma në drejtësi mbetet një nga arritjet më të rëndësishme, duke kërkuar një drejtësi që “nuk sheh as majtas, as djathtas, por vetëm drejt”.
“E kam thënë që nga dita e parë që unë dua një drejtësi që nuk sheh as majtas, as djathtas, por sheh drejt. Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund t’i ushtrohet presion dhe nuk mund të kontrollohet nga larg. Gjithashtu kam thënë se ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi”, theksoi Rama.
BBC News, në një artikull për debatin mbi Zvërnecin dhe protestat e zhvilluara, ndalet edhe te transformimi i Shqipërisë gjatë 13 viteve të fundit.
Media britanike vlerëson zhvillimin e Tiranës, rritjen e turizmit dhe përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


