PUTIN VËZHGON EUROPEN/ 144 objektiva strategjikë evropianë nën mbikëqyrjen e dronëve rusë

Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër ngre alarmin për një fushatë të gjerë spiunazhi rus në Evropë. Sipas dokumentit, dronë të lidhur me Kremlinin kanë fluturuar mbi 144 objektiva strategjikë në 13 vende evropiane, duke vëzhguar baza ushtarake, porte, aeroporte dhe impiante energjetike. NATO dhe Bashkimi Evropian po përshpejtojnë planet për forcimin e mbrojtjes kundër kërcënimit në rritje nga dronët.

PUTIN VËZHGON EUROPEN/ 144 objektiva strategjikë evropianë

Mbi 144 objektiva strategjikë në 13 vende evropiane kanë qenë në shënjestër të dronëve të dyshuar rusë.

Alarmi vjen nga një raport i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, i cili flet për një fushatë të organizuar mbikëqyrjeje nga shërbimet sekrete të Kremlinit.

Sipas raportit, nga gushti i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2026 janë regjistruar 144 inkursione të dronëve mbi baza ushtarake, aeroporte civile, porte dhe infrastrukturë energjetike në të gjithë kontinentin.

Mes objektivave të survejuara përmenden baza amerikane Ramstein në Gjermani, objektet e Forcave Ajrore gjermane, aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” dhe baza e nëndetëseve bërthamore në Bretanjë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dronët dyshohet se kanë monitoruar disa baza të RAF-it, përfshirë Lakenheath, ku raportohet se po ndërtohet një depo për armët bërthamore amerikane.

Gjermania rezulton vendi më i goditur nga këto aktivitete, me 58 incidente të raportuara, e ndjekur nga Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Franca.

Ekspertët dyshojnë se dronët janë lëshuar nga anijet e ashtuquajtura të “flotës fantazmë” ruse, të cilat transportojnë naftë ruse në ujërat ndërkombëtare, por që tashmë mund të përdoren edhe si platforma të lëvizshme për operacione spiunazhi.

Këto zhvillime kanë nxitur shqetësim të madh në NATO dhe Bashkimin Evropian. Sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore po rezultojnë të pamjaftueshme përballë dronëve të vegjël, të cilët fluturojnë në lartësi të ulëta dhe shmangin radarët.

Përballë këtij kërcënimi, Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e iniciativës “European Drone Defence Initiative”, e njohur si “muri i dronëve”, që pritet të jetë funksional deri në fund të vitit 2026.

Edhe NATO e ka vendosur çështjen në krye të agjendës së saj, duke kërkuar më shumë investime në teknologjinë e dronëve dhe në sistemet moderne të mbrojtjes ajrore

EMISIONET