Largohen emigrantët, fluks në doganat e Kakavijës dhe Kapshticës
Emigrantët shqiptarë kanë nisur kthimin drejt shtetit grek pasi kanë kaluar në Shqipëri festat e fundvitit, duke shënuar kështu edhe fluks në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.
Sipas informacioneve më të fundit fluksin më të lartë të emigrantëve të cilët rikthehen në vendet e tyre të punës e ka dogana e Kakavijës ku gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë 4183 shtetas dhe 943 automjete ndërsa kanë hyrë 2953 shtetas dhe 542 automjete
Gjithashtu mësohet se pala shqiptare në doganën e Kakavijës punon me 3 sportele në hyrje dhe 5 në dalje ndërsa pala greke punon me 6 sportele gjithësej.
Ndërsa në doganën e Kapshticës gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë 3201 shtetas shqiptarë dhe 787 automjete ndërsa kanë hyrë 1743 shtetas shqiptarë dhe 360 automjete.
Gjithashtu në këtë pikë doganore kanë hyrë 284 shtetas të huaj dhe 131 automjete ndërsa kanë dalë 276 shtetas të huaj me 145 automjete.
Ndërkohë në të dyja pikat doganore me Greqinë nuk raportohet për radhë të automjeteve të cilat kërkojnë të dalin nga territori shqiptar dhe lëvizja po vijon normalisht.
Ndryshe nga këto dy pika kufitare në doganën e Qafë Thanës hyrjet drejt vendit tonë kanë qënë më të mëdha se daljet për shkak edhe të tregëtisë me shtetin fqinj Maqedoninë.
Kështu në pikën kufitare të Qafë Thanës gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 575 shtetas shqiptarë dhe 168 automjete si dhe 1 mijë shtetas të huaj de 245 automjete.
Sipas informacioneve në këtë pikë kufitare kanë dalë 507 shtetas shqiptarë dhe 166 automjete si dhe 524 shtetas të huaj dhe 171 automjete
