Arrestohet sekseri i votave, procedohet drejtuesi politik në Pukë

Arrestohet sekseri i votave, procedohet drejtuesi politik në Pukë

Policia e Pukës njoftoi të shtunën se ka goditur një rast që dyshohet se ka të bëjë me shit-blerjen e votës.

Sipas bluve i arrestuari është shtetasi Vasil Shabani i dyshuar si sekser pasi gjatë kontrollit në makinën e tij janë gjetur 528.000 lekë të reja burimi i të cilave nuk justifikohet, dhe një fletë votimi, e ngjashme me ato me të cilat qytetarët shqiptarë do të votojnë me 25 prill.

Për këtë çështje është proceduar penalisht, Demir Syla drejtues politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Pukë, pasi në biznesin e tij janë gjetur një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore me 27 persona dhe numrat e mjetit të tyre të identifikimit.

Të dy këta persona sipas policisë do të hetohen nga prokuroria për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim".

Në lidhje me këto zhvillime ka reaguar dega e LSI në Shkodër, e cila hedh poshtë mundësinë për shit-blerje të votës, dhe shton se ky aksion tregon politizimin e policisë së shtetit.

"Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit.

Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë. Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.

Kjo parti e mbyll reagimi ne saj duke i bërë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale ."

Vendi Lajme arrestim Politikë krim zgjedhor

EMISIONET