Teatraliteti magjepsës i joshjes së partneres në botën e dhunshme të fundit të detit

Bota është vendi i mrekullive të natyrës, i akteve plot pasion të species, i mjeshtërisë së komunikimit dhe joshjes, i thirrjes së largët të misterit.
Një nga befasitë nënujore që dikur i habiti ekspertët, ishte zbulimi i vizatimeve të çuditshme në rërë me modele rrethore pothuajse perfekte të gjetura në shtratin e detit jashtë Japonisë. Atyre iu desh një dekadë hulumtime dhe studime këmbëngulëse për të zbuluar nga e kishin origjinën dhe pse u shfaqeshim dhe zhdukeshin krejt papritur këto përsosmëri të artit nënujor, derisa më në fund arritën ta zbulonin.
Autori i këtyre formacioneve të mahnitshme, pothuajse 2 metra i gjerë në mënyrë rrethore perfekte, ishte një specie e sapozbuluar e peshkut puffer me madhësi jo më shumë se 12 centimetra. Studimet e mëvonshme përcaktuan se ato ishin rrathë të zbukuruar për të tërhequr partnerët e çiftëzimit. Vetëm imagjinojeni se si mundet të arrihet kjo në një vend rrymash të fuqishme detare. Meshkujt shpenzojnë gjashtë javë duke ndërtuar këtë mrekulli të mjeshtërisë së joshjes nën ujë, vetëm për t'u çiftuar për disa sekonda të vetme. Për ta realizuar këtë vepër arti, ai mbledh rërë të imët në tuma dhe i zbukuron me guaskat që gjen përqark. Nëse ai është me fat, femra e gatshme, ajo që do të joshet nga ky ceremonialitet ndjesor, do të qëndrojë në qendër të rrethit për të treguar miratimin për çiftëzim. Nëse jo, rryma e oqeanit do ta marrë veprën e tij të artit duke zhbërë këtë arkitekturë magjepsesë komunikimi, këtë teatralitet të ofertës dashurore.
Natyra nuk do të pushojë kurrë së na magjepsur me akte të tilla plot pasion, dhe ne nuk do të reshtim së pasuruari njohjen dhe mrekullimin nga larmia e mënyrave, me të cilat jeta i qaset botës dhe i ofron asaj blatimin e shenjtë të adhurimit.
Përgatiti: Albert Vataj


