Kotësia e rropatjeve të mundimshme të kënaqësive, nga "Homo Deus", Yuval Noah Harari

Çfarë e shtyn njeriun modern të vrapojë pa frymë drejt një lumturie që zhduket sapo e prek? Në këtë meditim të shkurtër shkëputur nga Homo Deus, Yuval Noah Harari analizon rropatjen tonë të mundimshme ndaj kënaqësive të përkohshme. Duke ballafaquar gjetjet e biokimisë moderne me mësimet e lashta të Budës, teksti na fton të kuptojmë se sekreti i harmonisë nuk qëndron te përshpejtimi i kërkimit, por te guximi për të ngadalësuar; jo te robëria ndaj ndjesive, por te stërvitja e mendjes për t'i parë ato si thjesht vibrime kalimtare.
"Rreth 2300 vjet më parë Epikuri i paralajmëroi dishepujt e tij se ndjekja e pamatë e kënaqësisë ka të ngjarë t'i bëjë ata të ndihen më shumë të mjerë se sa të lumtur. Disa shekuj më parë Buda kishte bërë një parashikim edhe më radikal, duke mësuar se ndjekja e ndjesive të kënaqësisë është në të vërtetë burimi i gjithë vuajtjeve. Ndjesi të tilla janë thjesht kalimtare dhe lëkundje pa kuptim. Madje edhe kur i përjetojmë ato, ne nuk reagojmë ndaj tyre me kënaqësi: por përkundrazi kërkojmë më shumë. Kështu që pavarësisht se sa shumë ndjesi të hareshme dhe nxitëse mund të përjetoj, ato asnjëherë nuk do të më kënaqin.
Nëse e identifikoj lumturinë me ndjesitë e këndshme kalimtare dhe kam nevojë të përjetoj gjithnjë e më shumë të tilla, nuk kam zgjidhje tjetër veçse t'i ndjek ato në mënyrë të vazhduar. Kur më në fund i arrij, ato zhduken sa hap e mbyll sytë dhe për shkak se kujtimet e vagullta të kënaqësive të së shkuarës nuk më kënaqin, duhet t'ia filloj nga e para. Madje edhe nëse e vijojnë këtë kërkim për dekada, ai kurrë nuk do të më sjellë ndonjë arritje të qëndrueshme; përkundrazi, sa më shumë që të kem nevojë për ndjesi kënaqësie, aq më i stresuar dhe i pakënaqur do të bëhem. Për të arritur lumturinë e vërtetë, njerëzit duhet të ngadalësojnë ndjekjen e ndjesive të kënaqësisë, jo ta përshpejtojnë atë.
Kjo pikëpamje budiste e lumturisë ka shumë të përbashkëta me pikëpamjen biokimike. Të dyja ato bien dakord se ndjesitë e kënaqësisë zhduken po aq shpejt sa edhe shfaqen dhe se për aq kohë sa njerëzit kërkojnë me ngulm ndjesi kënaqësie pa i përjetuar ato në të vërtetë, ata mbeten të pakënaqur. Sidoqoftë, ky problem ka dy zgjidhje krejtësisht të ndryshme. Zgjidhja biokimike është të krijohen produkte dhe trajtime të cilat do t'u mundësojnë njerëzve një burim të pashtershëm ndjesish kënaqësie, në mënyrë që kurrë të mos mbetemi pa to.
Sugjerimi i Budës ishte të reduktojmë kërkimin me ngulm të ndjesive të kënaqësisë dhe të mos i lejojmë ato të na kontrollojnë jetën. Sipas Budës, ne mund ta stërvitim mendjen për të vëzhguar me kujdes se si ndjesitë tona në mënyrë të vazhdueshme ngrihen e bien. Kur mendja mëson t'i shohë ndjesitë për atë ç'ka ato janë - vibrime kalimtare pa kuptim – ne e humbasim interesin për t'i ndjekur ato. Ç'kuptim do të kishte nëse ne vrapojmë pas diçkaje që zhduket po aq shpejt sa lind?
Përgatiti: Albert Vataj


