FOTO/ Samuel Bazhdari, nga “Ekipet Sportive në Shkolla” te Kombëtarja U16

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) vlerësoi sot projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”, duke e cilësuar atë një platformë të rëndësishme për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të reja sportive.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, KOKSH bëri të ditur se Samuel Bazhdari, pjesëmarrës në dy edicionet e para të projektit, ka debutuar me Kombëtaren shqiptare U16 në basketboll, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij sportive.
Sipas KOKSH, rrugëtimi i tij është ndërtuar mbi punën, talentin dhe përkushtimin.
Gjatë edicionit 2023–2024 të projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, Bazhdari u shpall kampion kombëtar me ekipin përfaqësues të Shkodrës, duke u veçuar si një nga talentet më premtuese të dalë nga kjo nismë.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar thekson se suksesi i Bazhdarit është një tjetër dëshmi se projekti “Ekipet Sportive në Shkolla” përfaqëson më shumë se një aktivitet sportiv, duke krijuar mundësi konkrete për identifikimin, zhvillimin dhe mbështetjen e sportistëve të rinj, si dhe për t’i afruar ata me sportin elitar dhe ekipet kombëtare.

