Tabloja impresioniste e soditjes së qiellit

Tabloja impresioniste e soditjes së qiellit

Po, ky është një çast i soditjes së qiellit.

​Asnjë virtuozitet krijues nuk do të mund ta konkurrojë. Asnjë tablo nuk të ngop me më shumë dritë, thellësi, ndjesi dhe shpirtërim.

Mund ta sodisësh për minuta të tëra e të përfshihesh në spektaklin e formave të bardhësisë që marrin retë, një dallgëzim i ngrirë pambuku që dëshmon dinamikën e frymshme të ajrit.

Thellësia e blusë së qiellit është edhe më depërtuese në këtë kontrast, një thellësi e kaltër që të thërret pa zë, ndërsa aty ku retë rrallohen, dielli shpërthen si një dritë zanafillore, duke i qëndisur skajet e tyre me fill dritësor.

​Ëndja dehet teksa fluturon në këtë magjepsje për të kapur caqet e skajshme të mrekullimit që derdhet nga lartësitë, duke mbushur çdo boshllëk që të gërryen. Në këtë vështrim, gjethet e gjelbra që zgjaten si një kornizë e gjallë tokësore në skaj të syrit, të kujtojnë se ti po prek përjetësinë duke mbetur i ankoruar në tokë.

​Për një çast ndihesh zog, re ndihesh, penelatë blu, një hapësirë e pamatë që shpërfaqet me gjithë madhështinë e saj. Nuk ka më kohë, nuk ka më rregulla kronologjike, ekziston vetëm ky manifestim spektakolar i dritës.

​Të sodisësh gjatë qiellin e kësaj shkujdesjeje bardhësie resh, arrin të hysh thellë këtij ceremonialiteti krijimi, të ndjesh se si duart e frymëzuara të pafundësisë zbresin dhe të ngrenë pezull, duke të të bërë edhe ty pjesë të kësaj joshjeje hyjnore. Ti nuk je më thjesht një vëzhgues, je bashkautor i kësaj simfonie vizuale.

​Për një çast mbyll sytë, e sakaq ndjen ajrin e thellësisë dhe dritën brenda teje teksa pulson, si një dhomë e errët që ruan të stampuar negativin e artë të parajsës.

​Kur sërish hap sytë, pamja ka ndryshuar, bardhësia e reve ka sendërtuar të tjera trajta, ka rilindur një tjetër gjeometri mitike, duke e shndërruar këtë copë qiell në një seri tablosh impresioniste të një shpirti etern.

Ai arrin të komunikojë kaq hirshëm dhe të dëshmojë kaq vërtetësisht paqen tënde, e cila ndihet e mbushur plot me këtë bukuri, dhe me vetë çastin e shenjtëruar nga vështrimi yt.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET