“Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura”, aksion pastrimi në Parkun Natyror të Cangonjit në Devoll

“Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura”, aksion pastrimi

Në të gjithë vendin po vijon programi kombëtar “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura”, nismë që synon mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike.

Pjesëmarrës të ndryshëm u angazhuan sot në pastrimin e zonave të frekuentuara dhe segmenteve përgjatë shtegut të Vizitorëve të Parkut Natyror të Cangonjit, në Devoll, si një kontribut konkret në ruajtjen e ekosistemit dhe parandalimin e rrezikut nga zjarret.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se “kjo nismë synon një natyrë më të pastër dhe më shumë ndërgjegjësim për ruajtjen e natyrës”.

Jaupaj falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre në pastrimin e këtij shtegu.

Programi kombëtar “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura” synon të krijojë një kulturë të re bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve, duke e kthyer mbrojtjen e natyrës në një prioritet të përbashkët kombëtar.

Shtigjet turistike në Shqipëri po kthehen gjithnjë e më shumë në destinacione të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë bukurisë natyrore dhe mundësive për ecje, aventurë dhe eksplorim. Rritja e interesit për turizmin malor dhe aktivitetet në natyrë ka sjellë edhe nevojën për kujdes dhe mirëmbajtje më të madhe të këtyre hapësirave.

EMISIONET