PROGRAMI/ Teatri i Kukullave nis turneun veror nëpër Shqipëri

Teatri i Kukullave është gati për turneun e tij veror.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Melsi Qirici përcolli sot në rrjetet sociale programin e këtij turneu, në qytete të ndryshme të vendit, me shfaqjet për fëmijë “Smërfët e Gargamela” si dhe “Aventurat e Winnie Pooh”.
Arushi Winnie Pooh, plot ngjyra, humor dhe muzikë, do të udhëtojë nga veriu në jug të vendit.
Qirici bëri të ditur se, të gjitha shfaqjet për fëmijë do të jenë falas. Udhëtimi i Teatrit të Kukullave nëpër Shqipëri do të nisë ditën e nesërme me shfaqjen në Qendrën Kulturore-Patos, do të vijojë më 2 korrik në Katund të Vjetër – Rubik, në datën 3 korrik, në Qendrën “Haxhi Memolla” Rrogozhinë, në 28 korrik në shëtitoren e Lushnjës, në 29 korrik në Vlorë, në datën 3 gusht në Mollas të Cërrikut, në 4 gusht në Tushemisht, në 27 gusht në Thumanë dhe në 28 gusht në Shirokë.
Ndërkohë, është menduar edhe për shfaqje për të rriturit. Më 4 dhe 5 korrik, në Teatrin e Kukullave vjen premiera e dramës “Yerma”, që ka për protagonistë aktorë të rinj të talentuar. Kjo shfaqje realizohet në kuadër të Fondit të Krijimtarisë të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.


