Poezi, ç’ka don me ken ti për mu, e un’ mundem për ty?! – Sot n’ditën e poezisë
Poezi, sot n'ditën tande hyjnue, kremte shpirti sjell stolisun n'ditën qi zemra t'bani altar, e dëshirimi t'kalli n'shkreptima yjesh.
Sot asht shtrue prehni jot me ninulla, plot, ledha nanash, e puthje ndezun buzëve ku bulon pranvera.
Tan na, ndihena kaplue kopulimit tand, andjes së fjalës dehun krojeve e ndezun diejve që lindin në synin mbushun me qiell.
Vargjet e bekimit tand, lshue me turr përrenjve qi zbresin prej legjendave dhe kreshtave, n'krahë shqiponjash, e na mbushin me lumenj dhe etje.
E mbrujtëm botën me andrra, me andje e ndijim.
Ti poezi behe te çdo varg e strofë, tingull e gjëmim, tue m'lumtunu si me ma t'naltit vullnet qi shpërblen.
S'pati plagë e dhimbje qi nuk i'u ba za e melhem shpirti e fjalësh, poezia. Trishtoi te ç'do trazim e re, kjavi me çdo strehë, e kangës ia mori n'sqepin e çdo bylbyli.
U ndi lutje në çdo fjalë e psherëtimë, te çdo gjunjëzim, ish përulje e përkorë, hyjnisht e puthi ballin e çdo meditimi.
Jeton me përjetsinë e tan çasteve ku jepena e prehemi, tue na mëku me përkujdesje tamëltimin e polenit të krejt luleve që i bahen blatim shenjtnis së bukurisë së fjalës.
Nadjeve erdh me puthje, prej zenitit u ul me prehnin plot bekime, muzgjeve na dehi me adhurim, netëve na shkrepi yje te çdo dalldisje e shenjtnim kurmesh.
E ç'ka tjetër mujte me ken për dishrimin tem, poezi?!