Investigimi i Ora News / Bashkia pranon skandalin: Pallati i "Arlis Shpk" që u dogj te Farmacia 10 ishte pa Certifikatë Përdorimi

Mjaftoi vetëm një orë, që flakët të shkatërronin gjithçka.

Dhjetëra familje që banonin në kompleksin "Arlis Shpk", pranë Farmacisë Nr. 10 në Tiranë, panë me sytë e tyre se si shtëpitë dhe kursimet e një jete u kthyen në shkrumb e hi.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë që mund të kishte përfunduar në një tragjedi njerëzore, Tv Ora News nisi një investigim të thelluar për të ndriçuar faktet që u tentuan të mbulohen me mister.

Gazetarja Alketa Çeku iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Tiranë duke i kërkuar informacion specifik nëse:
1-Pallati që u përfshi nga zjarri ka marrë Certifikatën e Përdorimit (kolaudimin përfundimtar)?

2-Dhe nëse është kryer verifikimi i përputhshmërisë së materialeve të përdorura – përfshirë fasadën e ventiluar?
Përgjigja zyrtare e Bashkisë Tiranë është një pranim tronditës i fajit dhe i skandalit institucional.

Bashkia Tiranë pranon zyrtarisht se pallati i kompanisë "Arlis Shpk" me administrator Armand Lilon, është i jashtëligjshëm në përdorim, pasi nuk ka kaluar asnjë kontroll fazash dhe nuk disponon certifikatë përdorimi.

Në përgjigjen zyrtare ky institucion na bën me dije se “Objekti nuk është pajisur me konformitetin e akt kontrolleve sipas fazave të ndërtimit, rrjedhimisht ky objekt nuk është pajisur me certifikatë përdorimi”

E thënë më thjesht, pallati që u pëfshi nga flakët nuk ka marrë lejen finale që njerëzit të jetojnë apo të ushtrojnë aktivitete aty. Zyrtarisht, objekti nuk duhej të ishte i banueshëm pa këtë dokumentacion.
Certifikata e përdorimit është dokumenti që dëshmon se një ndërtim ka përmbushur kërkesat ligjore dhe teknike për t'u përdorur.

Bashkia deklaron se objekti nuk ka "konformitetet e akt-kontrolleve sipas fazave". Kjo do të thotë që inspektorët nuk kanë shkuar ,ose nuk kanë firmosur në kantier për të verifikuar nëse karabinaja, tullat, izolimi dhe, mbi të gjitha , fasada e ventiluar që u kthye në përhapëse zjarri, ishin ndërtuar sipas standardeve ligjore dhe projektit të miratuar.

Zjarri i rene në kete objekt ka ekspozuar administratorin e"Arlis Shpk"Armand Lilo ndaj një shkelje të rëndë ligjore. Administratori Lilo ka guxuar të fusë me vetëdije qindra familje dhe biznese në një godinë të pasigurt dhe të pakolauduar, duke rrezikuar direkt jetën e qytetarëve.

Aktualisht dhjetra familje kanë braktisur shtepite dhe nuk dihet ende kur do të rikthehen, por pyetjet që presin përgjigje dhe duhet të hetohen nga drejtësisa janë:

Kush janë zyrtarët korruptiv që "mbyllën sytë", dhe lejuan futjen e qytetarëve në këtë objekt pa certifikatë përdorimi?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë krim të mbetur në tentativë?

Faktet e këtij investigimi janë një dosje e gatshme për Prokurorinë , e cila duhet të tregojë se përpara ligjit janë të barabartë si qytetarët e mbetur rrugëve, ashtu edhe bisnesmenet së bashku me zyrtarët që u bëne palë ne shkelje.

EMISIONET