Papa Leone XIV sjell Hollivudin në Selinë e Shenjtë

Papa Leone XIV, i pari papë me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe pasues i papa Françeskut, i cili u zgjodh në maj, do të takohet më 15 nëntor me aktorë dhe regjisorë të njohur të Hollivudit, sipas ”USA Today”.
Mes të ftuarve janë fituesja e Oscar-it për filmin ”Blue Jasmine”, Cate Blanchett, aktori i serialit ”Severance”, Adam Scott, regjisori i njohur Spike Lee, aktori Chris Pine, krijuesi i sagës ”Mad Max” George Miller dhe regjisori i filmit ”Drugstore Cowboy”, Gus Van Sant.
Në takim pritet të marrin pjesë edhe çifti Alison Brie dhe Dave Franco, aktori Viggo Mortensen nga ”Lord of the Rings” dhe regjisori i ”American History X”, Tony Kaye.
Sipas një deklarate të Vatikanit më 10 nëntor, papa ”ka shprehur dëshirën e tij për të thelluar dialogun me botën e kinemasë… duke eksploruar mundësitë që ofron krijimtaria artistike për misionin e Kishës dhe promovimin e vlerave njerëzore”.
”Ngjarja organizohet nga zyra e kulturës e Vatikanit si pjesë e Vitit të Shenjtë. Takime të tilla me yje të Hollivudit janë të rralla; në qershor 2024, papa Françesku priti një grup humoristësh, përfshirë Conan O’Brien, Stephen Colbert, Jimmy Fallon, Whoopi Goldberg dhe Chris Rock.
Në qershor, Al Pacino u bë ylli i parë i Hollivudit që pati një audiencë private me papën.
Në njoftim u zbuluan edhe filmat e preferuar të papa Leones XIV, i lindur në Çikago, si “It’s a Wonderful Life” (1946), ”The Sound of Music” (1965), ”Ordinary People” (1980) dhe ”Life is Beautiful” (1997).
Ky njoftim vjen pas takimit që papa pati më 7 nëntor me aktorin Robert De Niro dhe fëmijët e tij, Julian dhe Drena De Niro, në Vatikan.
“Është një njeri i mirë… U ndjeva shumë, shumë i lumtur që e takova”, tha aktori i “Taxi Driver” për CNN.


