Murat Toptani, artisti i shumanshëm dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare

Më 13 korrik të vitit 1868 lindi në Aka (Turqia e sotme), Murat Toptani, skulptor, piktor, poet, publicist dhe një nga veprimtarët e Rilindjes Kombëtare.
Murati lindi në Turqi, sepse i ati, Said Toptani gjendej atje në internim.
Në 1884 Murat Toptani vazhdoi studimet në shkollën “Sulltanie” (Gallata Saraj), ku mori një kulturë që u reflektua më vonë në gjithë veprimtarinë e tij të larmishme artistike. Në mbarim të shkollës ai zotëronte disa gjuhë të huaja: frëngjisht, osmanisht, arabisht dhe persisht.
Veprimtarinë e tij e zhvilloi kryesisht në Tiranë dhe në shoqëritë shqiptare jashtë atdheut (Stamboll, Napoli, Bukuresht etj.). Mbajti kontakte të ngushta me vëllezërit Frashëri, pasi ishte dhe dhëndri i Naimit. Ishte delegat i Tiranës në Kuvendin e Vlorës dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.
Murat Toptani realizoi në Napoli më 1899 bustin e Skënderbeut, i cili është nga krijimet e para të skulpturës në artin e periudhës së Rilindjes.
Më vonë, më 1917 realizoi bustin e Skënderbeut, që sot ruhet në Galerinë e Arteve ku gjendet gjithashtu edhe vepra tjetër e tij, karikatura “Premtimet e Anglisë” e cila është në akuarel. Shkroi shumë vjersha dhe artikuj publicistikë, ku një pjesë e poezive të tij u përmblodhën në librin “Vjershat e Murat Toptanit”, botuar në Tiranë në vitin 1924, pas vdekjes së tij (1918).


