Këshilla e OSHO: “Ji individualist nëse do të jesh i lumtur”

Këshilla e OSHO: “Ji individualist nëse do të jesh i

Mes shumë thirrjeve për zgjim shpirtëror dhe çlirim të vetvetes, OSHO mbetet një nga zërat më të pakompromis kundër çdo forme nënshtrimi të individit. Ai nuk vjen thjesht për të dhënë mësime, por për të tronditur bindjet e gatshme, për të shembur muret e ngritura nga morali kolektiv, nga zakonet, traditat dhe gjithë ato konstrukte që shoqëria i quan rend, por që shpesh nuk janë gjë tjetër veçse mekanizma të bindjes dhe të skllavërimit të shpirtit njerëzor.

Sipas tij, njeriu nuk lind për të qenë pjesë e turmës, por për të qenë vetvete. Dhe pikërisht aty nis drama, shoqëria nuk e duron individin e lirë. Ajo ka nevojë për përsëritje, për bindje, për njerëz që ecin sipas një vije të vizatuar nga të tjerët. Ndërsa individi autentik është i rrezikshëm për çdo sistem, sepse ai pyet, dyshon, kundërshton, rebelohet. Ai nuk pranon të jetojë sipas formulave të gatshme, por kërkon të vërtetën e tij, edhe nëse kjo e çon drejt vetmisë, dhimbjes apo përplasjes me botën.

“Ji individualist nëse do të jesh i lumtur”, thotë OSHO. Zgjidh vetë. Mos u bind vetëm sepse të kërkohet bindja. Ka çaste kur mosbindja është forma më e lartë e dinjitetit. Ka raste kur rebelimi është mënyra e vetme për të mbetur njeri. Sepse sa më shumë kompromis bën me atë që nuk je, aq më tepër humbet vetveten. Dalëngadalë shndërrohesh në një dhëmbëz të vogël të një mekanizmi gjigant, anonim, pa zë, pa shpirt.

OSHO është i pamëshirshëm ndaj bindjes së verbër. Për të, një jetë e mbushur me kompromise është më e trishtë se vetë vdekja. Individi i vërtetë, sipas tij, lind rebel. Ai është antikonformist nga natyra. Nuk thotë “po” për të kënaqur botën, por vetëm për ato gjëra që i ndien të vërteta në thellësinë e qenies së vet. Ai i beson intuitës, ndriçimit të brendshëm, inteligjencës së shpirtit të tij. Mund të thyhet, por nuk përkulet. Mund të mbetet vetëm, por nuk pranon të bëhet skllav i bindur.

Kur ai ndien diçka si të vërtetë, përkushtohet tërësisht, por jo ndaj urdhrave që vijnë nga jashtë. Ai i bindet vetëm dritës së vet të brendshme. Dhe kjo është gjëja më e vështirë në botë: të jesh vetvetja. Sepse askush nuk të do të lirë. Të gjithë përpiqen të të bëjnë pjesë të tufës, të të zhveshin nga veçantia, të të kthejnë në një numër, në një identitet kolektiv, në një emër pa fytyrë.

“Shpirti është gjithmonë individual; mendja është gjithmonë turmë”, thotë ai. Besimet që njeriu trashëgon, idetë që përsërit, fetë ku përket, ideologjitë që mbron, shumë herë nuk burojnë prej tij, por prej mendjes sociale, prej kishës, shtetit, traditës, edukimit kolektiv. Prandaj individualisti gjendet gjithmonë në konflikt me shoqërinë, sepse shoqëria nuk ka shpirt, ajo ka vetëm struktura.

Dhe kur njeriu humbet në këto struktura, ai rrezikon të bëhet një joentitet, një hije e vetvetes. Për këtë arsye OSHO nuk ofron formula, sepse çdo formulë është burg. Ai nuk kërkon ndjekës, por qenie të vetëdijshme. Madje ai thotë se funksioni i një mjeshtri nuk është të të japë siguri, por të të rrëzojë siguritë e rreme, të të lërë përballë lirisë së madhe dhe të frikshme të ekzistencës.

“Nuk ju jap ideologji”, thotë ai, “por kurajën për t’i flakur ato.” Nuk ju jep një fe tjetër për t’u strehuar, por guximin për të mos u strehuar askund tjetër përveç vetes. Të jesh nxënës, sipas tij, nuk është bindje, por akt lirie.

Ai bën një dallim thelbësor mes personalitetit dhe individualitetit. Personaliteti është maska që shoqëria të imponon; individualiteti është esenca që ekzistenca të ka falur. Personaliteti është hipokrizi e mësuar; individualiteti është e vërteta e zhveshur e qenies. Vetëm kur maskat bien, njeriu fillon të zbulojë veten. Vetëm atëherë mund të ndodhë përndritja.

Zhdukja e personit që shtiremi se jemi nuk është humbje, por lindje. Kur bie personaliteti, shfaqet individi. Dhe pikërisht aty fillon madhështia e qenies njerëzore: jo si pjesë e turmës, por si një vetëdije unike, e papërsëritshme, e lidhur drejtpërdrejt me ekzistencën.

Për OSHO-n, besimtari autentik nuk është ai që i përket një feje të organizuar, por ai që guxon të ecë vetëm drejt së vërtetës. Një shpirt i tillë është rebel kundër ortodoksive, kundër dogmave, kundër turmës dhe gjithë mekanizmave që kërkojnë ta bëjnë njeriun të bindur. Dashuria e vetme e tij është e vërteta.

Të tjerët, thotë ai, vetëm sa enden nëpër mjegullën e injorancës, të humbur në ëndrra dhe gjumë shpirtëror, dhe pikërisht për këtë vuajnë.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET