Çfarë shkruhet në “Letrën për një kalorës të ri”, të “vajzës” së John Everett Millais?

Në heshtjen e thellë të një cepi të errët, ku gjethet e dregjura në mur formojnë një kornizë natyrore, qëndron portreti i një vajze të vogël, ndoshta rreth shtatë vjeçe, e veshur me një fustan kremi me lulezime delikate dhe një kapelë të gjerë prej dantelle. Ajo mban në duar një letër dhe shikon larg, me një shprehje pritjeje e përmbajtjeje, sikur mban brenda saj një ndjesi të pakuptueshme, por të rëndësishme.
Kjo pikturë, "A Letter for the Squire" (Letër për një kalorës të ri), e realizuar nga John Everett Millais në vitin 1882, është më shumë se një paraqitje e një skene fëminore. Ajo është një reflektim i ndjeshmërisë së artit viktorian ndaj fëmijërisë, si metaforë e pafajësisë, ndershmërisë dhe shpesh edhe e pritjes në kufijtë mes ëndrrës dhe realitetit.
John Everett Millais, si bashkëthemelues i Vëllazërisë së Para-Rafaelitëve, kishte një qasje të veçantë ndaj figurës dhe ndjeshmërisë, duke u fokusuar te detajet, te ndriçimi simbolik dhe te shprehjet emocionale. Në këtë pikturë, ai na jep jo thjesht një vajzë me një letër, burim i një bote të tërë pritjeje dhe delikatesash të paartikuluara.
Titulli, "A Letter for the Squire", mbart me vete një poetikë të nënkuptimeve. Fjala "squire" mund të nënkuptojë një kalorës të ri, një shoqërues fisnik, ose mbase një figurë mashkullore të admiruar. Vajza mund të jetë një e dërguar, ndoshta e padijshme për peshën e mesazhit, por simbolikisht ajo shndërrohet në lajmëtare të asaj që ende nuk është thënë. Letra, e bardhë dhe e heshtur, është zemra e paçelur e veprës.
Nuk do ta dimë kurrë se çfarë shkruhet në atë letër të mbajtur butë në duart e saj delikate. Faqja e bardhë është një mister i mbështjellë me heshtje, por ndoshta është pikërisht kjo heshtje që e bën letrën të zhurmojë me më shumë ndjenjë se fjalët. Aty mund të jetë fshehur një rrëfim dashurie, i thjeshtë dhe i sinqertë, i lindur mes murmurimave të zemrës dhe kujtimeve të pakthyeshme. Ndoshta është një ëndërr e shkruar në orët e para të mëngjesit, kur bota ende hesht dhe shpirti ndriçon me dritën e brendshme të shpresës.
A është ajo një vajzë që shkruan për një dashuri të pamundshme, për një kalorës që s’e ka takuar kurrë, por që e ka ndier gjithmonë pranë, si një prezencë engjëllore që ndjek hapin e saj të brishtë? Apo është një fjalë e fundit, një ndarje e heshtur me atë që shkon drejt betejës së jetës, i mbështjellë në lavdinë dhe mallin e lamtumirës?
Mund të jetë letra që çdo vajzë e pastër dhe ëndërrimtare do të donte të shkruante, një përshpërimë që nuk kërkon përgjigje, një pohim që buron nga një shpirt që ka mësuar të dojë pa kushte. Ajo vajzë e Millais-it nuk shkruan vetëm me bojë; ajo shkruan me lot të heshtur, me frymën e bardhësisë që lind nga një jetë e paqtë, me një sinqeritet që nuk mund të simulohet. Në letrën e saj nuk ka vetëm fjalë, ka ndjenja që rrjedhin si dritë përmes një dritareje të mbyllur, ka lutje të paartikuluara, ka një dëshirë të qetë për të qenë kujtim në zemrën e atij që shkon larg. Ndoshta letra është më shumë se një mesazh; është një rrugë për t’u ngjitur shpirtërisht, një mënyrë për t’u bërë engjëll pa vdekur, për të ndriçuar botën e dikujt me një dashuri që nuk kërkon asgjë në këmbim.
Millais e trajton vajzën me një butësi dhe respekt të rrallë: flokët e saj me onde të arta, fytyra rrethore dhe sytë blu, të lagësht nga drita, na dhurojnë një shenjtërim estetik të pafajësisë. Veshja e saj me dantella dhe ngjyra të ngrohta, e krahasuar me sfondin e errët me mur guri e gjethe, krijon kontrastin që nxjerr në pah delikatesën e personazhit. Këtu ndjehet ndikimi i pikturës flamande dhe teknikës së mjeshtërve si Van Eyck dhe Holbein, të cilët Millais i admironte.
Ajo që e bën këtë vepër të paharrueshme është ndjenja e brendshme e misterit. Nuk dimë se kush është marrësi i letrës, çfarë përmban ajo, apo pse është pikërisht kjo vajzë që e dorëzon. Por kjo padije është pikërisht ajo që e bën pikturën të bisedojë me shikuesin, të ngrejë pyetje, të rizgjojë ndjesi dhe të na kthejë te vetja, në kohën kur edhe ne mbanim një letër të paçelur, një pritje të pakuptuar, një ëndërr pa fjalë.
Në fund, "A Letter for the Squire" nuk është thjesht një imazh. Është një poezi me ngjyra dhe dritë, një fragment ndjesor i një fëmijërie të heshtur dhe fisnik, i cili në duart e Millais merr dritën e një ikone pa fjalë, por me një shpirt që flet gjatë.
Përgatiti: Albert Vataj


