Butrinti/ Akademikët “zgjohen” të përçarë pas votimit të projektligjit, Gjinushi: Qeveria s'na pyeti; Baçe: Do informojmë UNESCO-n

Akademikët hapën një debat për menaxhimin e Butrintit pasi Parlamenti e miratoi projektligjin. Ata e akuzuan qeverinë se nuk mori mendimin e ekspertëve për një park unik siç është Butrinti, por jo të gjithë ishin në një mendje.

Akademikët u zgjuan për Butrinin, vetëm pasi Parlamenti e miratoi projektligjin për menaxhimin e një pjese të Parkut Kombëtar nga Fondacioni i Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan.

Kur gjithçka u mbyll me kartonin e votës, Skënder Gjinushi tha se Qeveria nuk i pyeti.

"I takonte Qeverisë të konsultohej me Akademinë, me Institutet."

Dhe pse kontestojnë marrëveshjen, jo të gjithë janë të një mendjeje. Neritan Ceka, që më herët është shprehur kundër, tashmë ndryshoi qëndrim dhe përshëndeti miratimin e ligjit.

"E mbështes me bindje të plotë procesin që po zhvillohet për zbatimin e administrimit të Butrintit përmes një Fondacioni publik dhe e përshëndes miratimin e ligjit si fundin e sundimit të partive politike në Butrint. E kam quajtur "vetëvrasje" të partive politike para derës së Butrintit."

Apollon Baçe ngriti pikëpyetje mbi menaxhimin e Butrintit nga një strukturë që e cilëson OJQ.

"Kjo përralla e madhe që na thuhet që këta kanë ardhur si Nënë Tereza për të bërë mirë për mua nuk qëndron. Ky është një Fondacion si gjithë OJQ-të e tjera. Dhe kjo që thonë se lekët do të mbeten në Butrint, a do mbeten apo jo këtë nuk do ta dijë asnjëri."

Baçe tha se mbi marrëveshjen do të informojë Ambasadat por edhe UNESCO-n.

"Shpresoj që Presidenti ta kthejë, do të fitohet njëfarë kohe me këtë. Po bëjmë letër për UNESCO-n."

I ashpër në reagim, studiuesi Auron Tare tha se akademikët ua dorëzuan Butrintin të huajve.

"Në planin e menaxhimit, po ta lexoni me vëmendje, është bërë nga një grup anglezësh pa asnjë shqipotar, ja ku jeni, ju ka thirr njeri? Zero."

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit u votua nga Parlamenti vetëm me votat mazhorancës pas një debati mes deputetëve që zgjati mbi 6 orë.

Butrinti/ Akademikët “zgjohen” të

EMISIONET