Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgon Kuvendit emrin e Altin Binaj për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës” thuhet në njoftim.

Kandidatura e Binaj është për vakancën e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘90.

Ai ka mbajtur postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës si dhe ka drejtuar prokuroritë e Fierit dhe të Durrësit gjatë viteve 2008-2013.

Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit.

Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorë.

Në mbledhjen e sotme të KED merrnin pjesë anëtarët e tij, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit.